Arresohet 27-vjeçari me rrezikshmëri të lartë në Pogradec/ Kush është i riu i dënuar për vrasje (EMRI)

Policia ka vënë në pranga 27-vjeçarin Fabian Muçollari, i dënuar për vrasje dhe tentativë vrasje. Uniformat blu, u vendosën në ndjekje të 27-vjeçarit pas marrjes së informacionit se një shtetas me precedent kriminal, posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit.
Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, Fabian Muçollarit, iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
ADVERTISING
Gjithashtu, sipas informacioneve policore, u sekuestrua edhe automjeti i tij, informuan blutë.
Njoftimi i policisë:
Operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Cold Hand”, u sekuestruan 1 pako me lëndë narkotike kokainë, 2 armë zjarri, municion luftarak, një shkop metalik, një shumë lekësh dhe një automjet.
Policia vë në pranga poseduesin e tyre, i dënuar më parë për “Vrasje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe i punës së pandërprerë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, për një shtetas që posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit, shtetas me precedent kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Seksionit të Krimeve të Rënda dhe Shqiponjat, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cold Hand”.
Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F. M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Por kush është Fabian Muçollari
Më 14 Shkurt 2016, Fabian Muçollari (në atë kohë 17-vjeç) vrau në Pogradec bashkëmoshatarin e tij gjimnazist pas një konflikti të mëparshëm në rrjetet sociale.
Përplasja nisi në ambientet e jashtme të një lokali dhe vazhdoi brenda tij, duke shkaktuar vdekjen e Fabio Hilës, pikërisht ditën e parë të shkollës.
Ngjarja tragjike është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ku dallohej momenti kur Fabian Muçllari mbërriti te lokali ku kishte lënë takimin me viktimën dhe armën e mbante poshtë një kostumi sportiv që kishte veshur. Nga ana tjetër, Fabio Hila qëndronte i ulur në një tavolinë në verandën e lokalit së bashku me disa shokë të tij.
Njëri prej tyre ka hedhur një karrige në drejtim të autorit dhe më tej ky i fundit ka nxjerrë armën. Në moment, viktima është fshehur brenda lokalit, por autori e ka ndjekur pas dhe, pavarësisht përpjekjeve të shokëve për ta ndaluar të qëllojë, ai ka hyrë brenda në lokal dhe ka shkrepur armën në drejtim të Fabio Hilës.
Më tej, në pamje dukej një nga djemtë, i cili del me armën në dorë, por edhe autori që e ndjek nga pas dhe ia rimerr atë dhe largohet me vrap. Fabio Hila gjeti vdekjen si pasojë e tre plumbave që u qëlluan ndaj tij, njëri prej të cilëve në zemër.
Sipas hetimeve në atë kohë, sherri nisi për një vajzë, shoqe e autorit, me të cilin viktima donte të kishte një lidhje. Pas grindjes në rrjetet sociale, dy djemtë u takuan përballë, duke shkaktuar dhe përplasjen fatale për jetën e 17-vjeçarit.
‘Fabion e vrava se bënte si epror, më preku në sedër’
Pas arrestimit Fabian Muçollari, i cili vrau me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij, hodhi dritë të plotë mbi ngjarjen dhe shkaqet e saj.
Dy djemtë, Fabio Hila (viktima) dhe Fabian Muçllari (autori) mësohet se njiheshin vetëm nëpërmjet Facebook-ut.
Gjithçka e kanë nisur atje si një grindje të rëndomtë, por që më pas u kthye në një tragjedi. Kur është marrë në pyetje nga grupi hetimor Fabian Muçollari ka deklaruar se krimin e kishte kryer me një armë të cilën e mbante të fshehur në pjesën e pasme të shtëpisë ku banonte.
“Armën e kam gjetur dhe e mbaja të groposur pas shtëpisë, në Vërdovë”, është shprehur autori. Ai ka vazhduar dëshminë, duke thënë se, i nxehur pas sherrit verbal që kishte pasur me viktimën, bashkëmoshatar me të, e ka nxjerrë automatikun nga vendi i fshehtë dhe me të në dorë ka shkuar i vetëm për të vrarë Fabio Hilën.
“Fabio ngacmonte shoqen time të ngushtë. Ne nuk njiheshim me njëri-tjetrin, por e kontaktova nga Facebook-u. I kërkova fillimisht të mos e ngacmonte atë vajzën, por ai ma ktheu me ironi dhe tallje çdo përgjigje. I kërkova prapë që ta lërë të qetë atë vajzën, por nuk e ka bërë. Gjatë gjithë kohës unë i flisja seriozisht, por atij i dukej vetja epror dhe të dy u nxehëm. Nisëm të fyenim njëri-tjetrin dhe pasi e mbyllëm bisedën, unë nuk arrija të gjeja qetësi”, ka dëshmuar 17-vjeçari.
“E gjeta numrin e tij të celularit dhe e telefonova. Ai sërish më foli keq dhe i kërkova të më tregonte ku ndodhej që të sqaroheshim përballë dhe jo me llafe. Më tregoi lokalin dhe i shkova atje. Nuk ishte vetëm, por me disa shokë. Atje më tha disa fjalë që më prekën në sedër. Mendja më shkoi menjëherë tek arma që kisha fshehur mbrapa shtëpisë. Shkova te vendi ku e kisha groposur, e nxora dhe u ktheva te lokali, atje e qëllova dhe ika. Nuk e dija nëse e kisha vrarë apo jo”, është shprehur në dëshminë e tij autori i ngjarjes.
Ai u kap disa minuta pasi ekzekutoi brenda në lokalin e basteve, në qendër të Pogradecit, moshatarin e tij.