Arsovska e akuzon ashpër Mickoskin: “Luani jeni vetëm ndaj grave, përpara krimit jeni mace”

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e akuzuar për heshtje dhe bashkëpunim të heshtur me krimin. Ajo tha se ai nuk guxon as të reagojë ndaj kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe deputetit Izet Mexhiti, të cilët i akuzon për përfshirje në “krim flagrant”.

“‘Luani’ Mickoski nuk guxon të nxjerrë zë kundër Ganiut dhe Mexhitit. Nuk guxon as t’i shikojë shtrembër, e lëre më të kërkojë përgjegjësi për krimin. Luan? Mace,” shkruan Arsovska.

Ajo thekson se posedon dokumentacion të plotë për 150 ndërtime pa leje, të mbështetura me fotografi dhe video nga vendngjarja, por se institucionet heshtin. Sipas saj, përderisa Mickoski kishte reaguar menjëherë ndaj një rasti që e quajti “falsifikim në ‘Puls’”, tani organet e rendit nuk guxojnë as të pranojnë kallëzim penal kur ajo paraqitet si paditëse.

“Më mbyllin telefonin në 192 kur prezantohem kush jam. Shteti vepron vetëm kur i konvenon partisë,” shkruan ajo.

Arsovska e akuzon Mickoskin se në vend që të përballet me ata që i quan kriminelë, po tregon “forcë ndaj një gruaje”. Ajo i quan të pabesueshme deklaratat për “destabilizim” dhe thotë se destabilizimi i vërtetë ndodh kur pushteti nuk ka përgjigje për akuzat për korrupsion.

“Çfarë do të shoh unë? Do të realizoni kërcënimet apo do të fabrikoni gënjeshtra për të më diskredituar? Çfarëdo që të bëni, të gjithë do ta dinë se vjen nga ju dhe se është në funksion të mbrojtjes së krimit të VLEN-it, Izet Mexhitit dhe Visar Ganiut,” përfundon Arsovska./TS/