Për ironi të fatit, në të njëjtën ditë kur qeveria njëetnike e drejtuar nga VMRO-DPMNE miratoi Propozim-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, institucionet shtetërore vazhduan të thellojnë diskriminimin dhe përjashtimin e qytetarëve shqiptarë nga administrata publike. Kështu e nis reagimin e saj ASH-Taravari, sipas të cilës, nëpërmjet Agjencisë për Administratë, Fondi Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut shpalli konkurse për 23 vende pune, të gjitha të vendosura në rajonin lindor të vendit – zona ku nuk jetojnë shqiptarë.
“Kjo praktikë përjashtuese është shembulli më i qartë i asaj që nënkupton “përfaqësim i drejtë” në versionin e ligjit të Karakamishevës: 23 punësime për maqedonas, 0 për shqiptarë. Po atë ditë, në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, përmes një konkursi të brendshëm (nr. 02/2025, i publikuar më 04.04.2025), u avansuan tetë zyrtarë maqedonas dhe vetëm një shqiptar – edhe ky shembull konkret se si zbatohet ‘merita’ në administratën e re. Ndërkohë, në mbrëmje, kryeministri i VLEN-it Hristijan Mickoski, në një intervistë në TVM1, deklaroi se për një vit janë realizuar 10 deri në 12 mijë punësime të reja, duke e rritur numrin e të punësuarve në vend nga 690.000 në 702.000. E pyesim publikisht liderin e VLEN-it, Izet Mexhiti: Nga këto 12 mijë punësime, sa janë shqiptarë? Apo ndoshta për këtë informacion duhet të kërkojë leje nga shefi i tij, Hristijan Mickoski?”.
Sipas dinamikës aktuale të konkurseve dhe avancimeve, thuhet më tej në reagim, është e qartë se numri i shqiptarëve të përfshirë nuk e kalon as shifrën katërshifrore, gjë që e bën edhe më të zymtë realitetin në të cilin ligji i shumëpropaganduar nuk është as simbolikisht funksional, e aq më pak efektiv.
“Me këtë ritëm dhe me ligjin e Karakamishevës, shqiptarët po përshëndeten nga administrata shtetërore, duke u përjashtuar sistematikisht nga institucionet publike – një proces që e zhvesh përfaqësimin nga çdo kuptim real. Prandaj, theksojmë edhe njëherë nevojën urgjente për një ligj të ri, gjithëpërfshirës dhe funksional, të hartuar me pjesëmarrje të vërtetë të përfaqësuesve shqiptarë, ekspertëve të komunitetit dhe institucioneve përkatëse. Mjaft më me makijazh politik dhe manipulime me emrin e barazisë! Ky nuk është përfaqësim. Kjo është dorëzim. Dhe Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë kësaj padrejtësie”.