Bajrami: VV-ja është ngujuar pas një emri – do të vijmë te një pikë kur duhet të ulemi të gjithë, qoftë edhe për zgjedhje

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin institucional që po ndodh në vend, duke e cilësuar këtë situatë si një kolaps të plotë për të cilin, sipas saj, është përgjegjëse qeveria aktuale.
Ajo tha se VV-ja është ngujuar pas një emri për të cilin s’i kanë votat.
“Nuk e di se sa do të zgjasë një situatë e tillë… Mua më vjen keq, mirëpo të gjithë e dimë përgjegjësin. Përgjegjësi i krejt kësaj situate është Lëvizja Vetëvendosje që ka 48 deputetë në Kuvend dhe janë ngujuar pas një emri për të cilin nuk i kanë votat,” tha Bajrami në një deklaratë për mediat.
Bajrami deklaroi se LDK-ja ka qenë e vetmja parti që ka dalë me një iniciativë për të bashkuar spektrin politik me qëllim që të tejkalohet bllokada aktuale, referuar qeverisë së unitetit, për të cilën ajo tha s’po përkrahet.
Deputetja e LDK-së tha se do të vijë një pikë kur duhet ulur të gjithë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje.
“Jemi partia e vetme që kemi ardhë me iniciativë që të bashkohemi të gjithë dhe të kalojmë prej kësaj gjendjeje të kolapsit, mirëpo një ide e tillë ende nuk po përkrahet. Edhe pse ne besojmë që kjo mund të shtyhet në afate të caktuara, por prapë se prapë do të vijmë te një pikë kur prapë do të duhet të ulemi të gjithë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje” përfundoi deputetja e LDK-së.
Sot dështoi për herë të 36 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Derisa në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë, vetëm 53 prej tyre votuan për.
Kundër vetëm një, dhe abstenim s’kishte.
Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.
Seanca e radhës do të jetë pas 48 orësh, të mërkurën në ora 11:00.