Bashkimi Demokratik për Integrim shënoi sot 23 vjetorin e themelimit, një datë që përfaqëson jo vetëm një moment historik në jetën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një gurthemel të rrugëtimit kolektiv për barazi, drejtësi dhe përfaqësim të denjë.
BDI lindi si përfaqësuese politike e vullnetit për ndryshim, në vazhdën e përpjekjes çlirimtare dhe të Marrëveshjes së Ohrit, që përbën themelin e rendit të ri demokratik dhe multietnik në vendin tonë. Gjatë dy dekadave të fundit, përmes angazhimit të palëkundur politik, kemi arritur që shqiptarët të jenë pjesë aktive dhe vendimmarrëse në të gjitha nivelet institucionale.
Arritjet si përfaqësimi i parë i një shqiptari në krye të Kuvendit dhe në postin e Kryeministrit janë dëshmi e avancimit të qëndrueshëm të pozitës së shqiptarëve në shtet. Këto nuk janë suksese individuale, por fitore të përbashkëta të një vizioni të qartë politik.
Megjithatë, zhvillimet e fundit janë shqetësuese. Po vërehen përpjekje për të zhbërë mekanizmat e garantuar me Marrëveshjen e Ohrit, për të anashkaluar gjuhën shqipe dhe për të përjashtuar kuadrot shqiptare nga institucionet. Këto veprime rrezikojnë jo vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe paqen dhe stabilitetin në vend.
BDI do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo të arriture dhe do të jetë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për drejtësi dhe barazi. Misioni ynë nuk ndalet këtu. Sfidat e reja kërkojnë vendosmëri të re dhe ne do ta dëshmojmë këtë së bashku me qytetarët.
Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë për të ardhmen europiane të vendit dhe për një shoqëri ku askush nuk përjashtohet dhe dinjiteti i çdo qytetari respektohet.