Asnjëherë më parë drejtësia nuk ka qenë kaq e poshtëruar dhe e vendosur nën komandë të plotë të pushtetit politik.
Rasti në Koçan dhe heshtja përballë katastrofës urbane në Çair janë dëshmi të gjalla se Prokuroria Publike është shndërruar në një vegël të bindur të pushtetit ekzekutiv.
Në Koçan, pas një tragjedie që tronditi gjithë shoqërinë, hetimi u mbyll pa u thirrur si i dyshuar asnjë funksionar partiak, edhe pse çdo qytetar e ka të qartë se përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse.
Heshtja e Prokurorisë është një formë amnistie politike dhe një fyerje e rëndë për viktimat dhe familjet e tyre.
Në Çair, po ndodh në kohë reale një krim urban.
Më shumë se 150 ndërtime pa leje, pa projekt statik, pa vlerësim sizmik, me lidhje të paligjshme elektrike dhe pa qasje për zjarrfikës apo ndihmë të shpejtë, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për mijëra qytetarë.
Njerëzit që kanë blerë banesa në këto objekte nuk mund të flenë të qetë për shkak të frikës për jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Kjo nuk është më drejtësi selektive, kjo është drejtësi e shuar, e dirigjuar, e kontrolluar dhe e orientuar me vetëdije kundër interesit të qytetarëve.
Dhe kur drejtësia hesht aty ku duhet të flasë, ajo bëhet bashkëpunëtore e krimit.