“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme.

Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet.

Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”.

Prandaj nuk na befasojnë as hapat e këtij segmenti të qeverisë, e as institucionet që ata kanë arritur t’i kapin, siç janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike etj.

Secila prej tyre po punon aktivisht për zbatimin e programit elektoral të VMRO-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj.

Por ajo që është vërtet tronditëse është se mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit.

Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve.

Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it.

Keto perpjekje nuk do te kalojne. Për kete i sigurojme edhe shqiptaret por edhe ata qe jane duke i bere keto perpjekje te rrezikshme per ardhmerine e shtetit”.