Sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe deputeti Blerim Bexheti ka hedhur poshtë spekulimet për pakënaqësi të mundshme brenda partisë, pas diskutimeve mbi ndarjen e zonave paszgjedhore.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale, Bexheti ka theksuar se vendimmarrja në BDI është e qartë dhe udhëhiqet nga lideri historik i partisë, Ali Ahmeti.

“Ali Ahmeti është themeluesi i vizionit politik shqiptar në Maqedoni. Në çdo periudhë vendimtare, ai është ai që udhëheq, udhëzon dhe vendos. Asnjë vendim strategjik, politik apo kadrovik në BDI nuk ndodh pa vizionin e tij,” ka shkruar Bexheti.

Ai e ka cilësuar Ahmetin si “busullën politike të shqiptarëve dhe garancinë e qëndrueshmërisë”, duke shtuar se lideri i BDI-së “nuk ndjek zhvillimet, por i paraprin atyre.”

Ky reagim vjen në një kohë kur në opinion janë shtuar diskutimet për mundësinë që Saraji, bastion tradicional i BDI-së, t’i jepet Aleancës për Shqiptarët në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje.