Mbi 700 duqane dhe 1.400 të punësuar në Çarshinë e Vjetër, në zemër të Shkupit, çdo ditë përballen me sfida të natyrave të ndryshme, duke e pamundësuar ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin e këtij vendi historik në aspektin turistik.
Esnafi i Çarshisë së Vjetër si probleme serioze përmend mungesën e parkingjeve, mirëmbajtjen, por edhe nevojën për promovim. Dullovi thotë se institucionet e vështirësojnë punën e tyre, gjegjësisht ekzistojnë edhe tendenca për prishje të imazhit nga ana e ciceronëve. Ekonominë në Çarshinë e Vjetër e mbajnë gjallë mërgimtarët tanë.
“Problemet që i kemi çdo ditë nuk na lënë të bëjmë punën për të cilën jemi zgjedhur, ne si esnaf. Ne merremi me probleme banale sepse po merremi me formimin e kushteve që na nevojiten në Çarshi, dhe jo për të mundur ta ngremë zërin për zejtarët, të cilët i kemi në zhdukje. Ne si esnaf jemi shndërruar në çdo institucion, duke filluar prej mbledhjes së mbeturinave, merremi me renovimin e kalldrëmëve, me ujësjellësit, dhe merremi me çdo gjë, përveç asaj për të cilën jemi zgjedhur. Turizmi është vetëm për sy, por jo për ekonomi. Për ekonomi janë ata njerëz të Shkupit që janë në vende të ndryshme të Evropës dhe vijnë e kalojnë pushimet tek ne”, u shpreh kryetar i esnafit në Çarshinë e Vjetër, Bujar Dullovi.
Përkrahja institucionale mungon për zejtarët, të cilët dikur e formuan dhe e mbajtën gjallë Çarshinë e Vjetër në nivel evropian. Antikën po e mund modernizimi, thotë Dullovi.
“Modernizimi e mundi të vjetrën dhe të kaluarën. Është fakt, pasi që çdo zejtar që është në Çarshinë e Vjetër ka disbalancë – kanë mbetur në një nivel më të ulët, ndërsa tregtia është më lart. Ekonomikisht nuk mund të përballohet kjo kohë moderne dhe hapja e kufijve ka sjellë çdo produkt nga jashtë që e zëvendëson punën e dorës, dhe ajo nuk vlerësohet. Fatkeqësisht, puna e zejtarëve tanë është e njohur në viset evropiane, por jo në Ballkan. Puna e Çarshisë është ndërtuar nga duart e tyre dhe ka arritur potencial të mirë, ku ende kemi nga ata që kanë mbetur dhe mbijetojnë. Sot, puna e dorës së një zejtar nuk vlerësohet aq shumë”, theksoi Dullovi.
Sipas Dullovit, Ministria e Kulturës ka obligim që çdo vit të rinovojë objekte të cilësuara si objekte historike. Kryesisht, vizitorët më të mëdhenj të këtij atraksioni turistik dhe historik janë nga Turqia – mesatarisht rreth 200 mijë turistë në vit.