Rreth 84 për qind e naftës që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit është e destinuar për në Azi, duke i lënë ekonomitë e Kinës, Indisë, Koresë së Jugut dhe të tjerëve të cenueshme nëse Irani bllokon rrugën e rëndësishme tregtare për shkak të sulmeve të SHBA-së në centralet e saj bërthamore.

Rreth 14.2 milionë fuçi naftë bruto dhe 5.9 milionë fuçi produkte të tjera nafte kalojnë nëpër ngushticë në ditë – që përfaqëson rreth 20 për qind të prodhimit global në tremujorin e parë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA).

Dhe nafta bruto nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku, Kuvajti, Katari dhe Irani pothuajse ekskluzivisht kalon nëpër korridor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Më poshtë ua sjellim vendet kryesore aziatike ku destinohet nafta e eksportuar nëpërmjet ngushticës:

Kina

Më shumë se gjysma e naftës së importuar nga Azia Lindore kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, vlerësojnë ekspertët.

Kina është një nga blerësit më të mëdhenj, duke importuar 5.4 milionë fuçi naftë bruto në ditë përmes Hormuzit në tremujorin e parë të këtij viti, sipas EIA-s.

Arabia Saudite është furnizuesi i dytë më i madh i Kinës me naftë bruto, duke përbërë 15 për qind të importeve të saj totale të naftës – 1.6 milion fuçi në ditë.

Kina gjithashtu blen më shumë se 90 për qind të eksporteve të naftës së Iranit, sipas firmës së analizave Kpler.

Ajo importoi 1.3 milion fuçi naftë bruto iraniane në ditë në prill, nga një nivel i lartë pesë-mujor në mars.

India

India është shumë e varur nga Ngushtica e Hormuzit, duke importuar 2.1 milionë fuçi naftë bruto në ditë përmes korridorit në tremujorin e parë, tregojnë të dhënat e EIA-s.

Rreth 53 për qind e naftës së importuar të Indisë në fillim të vitit 2025 erdhi nga furnizuesit e Lindjes së Mesme, veçanërisht Iraku dhe Arabia Saudite, raportuan mediat lokale.

I kujdesshëm ndaj një konflikti në rritje në Lindjen e Mesme, New Delhi ka rritur importet e naftës ruse gjatë tri viteve të fundit.

“Ne kemi monitoruar nga afër situatën gjeopolitike në zhvillim në Lindjen e Mesme që nga dy javët e fundit”, tha të dielën ministri i Naftës dhe Gazit Natyror i Indisë, Hardeep Singh Puri.

“Ne kemi diversifikuar furnizimet tona në vitet e fundit dhe një vëllim i madh i furnizimeve tona nuk vjen tani përmes Ngushticës së Hormuzit”, shkroi ai në X, duke shtuar “Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar stabilitetin e furnizimeve me karburant për qytetarët tanë”.

Koreja e Jugut

Rreth 68 për qind e importeve të naftës bruto të Koresë së Jugut kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit – 1.7 milion fuçi në ditë këtë vit, sipas EIA-s.

Koreja e Jugut është veçanërisht e varur nga furnizuesi i saj kryesor, Arabia Saudite, e cila vitin e kaluar përbënte një të tretën e importeve të saj të naftës.

Ministria e tregtisë dhe energjisë e Seulit tha se “nuk ka pasur ndërprerje deri më tani në importet e naftës bruto dhe LNG të Koresë së Jugut”, por “duke pasur parasysh mundësinë e një krize furnizimi”, zyrtarët “po planifikonin për ndërprerje të mundshme në Ngushticën e Hormuzit”.

“Qeveria dhe palët e interesuara të industrisë janë përgatitur për emergjenca duke ruajtur një rezervë strategjike nafte ekuivalente me rreth 200 ditë furnizim”, tha ministria në një deklaratë.

Japonia

EIA thotë se Japonia importon 1.6 milion fuçi naftë bruto në ditë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Të dhënat e doganave japoneze treguan se 95 për qind e importeve të naftës bruto vitin e kaluar erdhën nga Lindja e Mesme.

Dhe kompanitë e transportit të energjisë në vend po përgatiten për një bllokadë të mundshme të ngushticës.

“Aktualisht po marrim masa për të shkurtuar sa më shumë të jetë e mundur kohën e kaluar nga anijet tona në Gjirin Persik”, ka thënë për AFP, gjiganti i transportit detar Mitsui OSK.

Të tjera

Rreth 2 milionë fuçi naftë bruto që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit çdo ditë në tremujorin e parë ishin të destinuara për pjesë të tjera të Azisë – veçanërisht Tajlandën dhe Filipinet – si dhe Evropën (0.5 milion fuçi) dhe Shtetet e Bashkuara (0.4 milion fuçi).

Alternativa të kufizuara

Vendet aziatike mund të diversifikojnë furnizuesit e tyre të naftës, por është e vështirë të zëvendësohen vëllimet e mëdha që vijnë nga Lindja e Mesme.

Në afat të shkurtër, “inventarët e rritur globalë të naftës, kapaciteti rezervë i disponueshëm i OPEC+ dhe prodhimi amerikan mund të ofrojnë njëfarë amortizimi”, thanë ekspertët në Bankën MUFG.

“Megjithatë, një mbyllje e plotë e Ngushticës së Hormuzit do të ndikonte ende në qasjen e një pjese të madhe të këtij kapaciteti rezervë prodhimi të përqendruar në Gjirin [Arab]”, thanë ata.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë infrastrukturë për të anashkaluar ngushticën, duke zbutur potencialisht ndërprerjet, por kapaciteti i tyre i tranzitit mbetet shumë i kufizuar – rreth 2.6 milionë fuçi në ditë.

Dhe tubacioni Goreh-Jask i ndërtuar nga Irani për të eksportuar përmes Gjirit të Omanit, i cili ka qenë joaktiv që nga viti i kaluar, ka një kapacitet maksimal prej vetëm 300,000 fuçi në ditë, sipas EIA-s.