Koridoret e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të mbushura me pacientë, që presin të marrin shërbime brenda kësaj klinike.
Si pacientët ashtu edhe familjarët e tyre zgjedhin fjalët më të mira për mantelbardhët, derisa ankesat më të mëdha dhe tejet shqetësuese i kanë për terapitë e kushtueshme.
“Unë e kam motrën këtu, dhe po ka mungesë të ilaqeve. E para (Gemcitabine) ka mungesë dhe diku e marrim 90 euro, variojnë çmimet nga barnatorja në barnatore dhe mund të kushtojë deri në 130 euro, kurse dyta (Zoledronic acid) herë ka herë s’ka, kjo e dyta është e lirë. S’ki çka duhet me siguru kur të duhet”, ka thënë në kushte anonimiteti një familjare e një pacienteje e cila aktualisht po trajtohet në Klinikën e Onkologjisë.
Ankesë për mungesën e barnave në këtë Klinikë e ka edhe një grua e cila me mezi po ia siguron terapinë tejet të kushtueshme bashkëshortit të saj, transmeton IndeksOnline.

“Për dy javë na kanë shku 1 mijë euro. Hiç nuk janë të përballueshme pasiqë edhe çdo ditë po udhëtojmë, po na kushton rruga, buka, maltretim është edhe me nxon rendin këtu sepse po na bjen 12 orë me pritë”, thekson ajo.
“Shikoni faturën, për një ditë 280 euro. Kurse këtë Titan-Port na ka kushtuar 450 euro, e kemi porositur nga Gjermania, sepse këtu kushton shumë më shtrenjtë”, ka treguar e njëjta në kushte anonimiteti.


Hiç më të lehtë nuk e ka as një familjar tjetër, i cili tha se tash e sa orë po e pret jashtë objektit të kësaj klinike.
“Inekcionet në kukë i ka me marrë një çdo tre javë, një kushton 1 mijë e 700 euro. I ka marrë 8 muaj me radhë megjithatë nuk kishin shumë efekt. Tash është me terapi. Shtrenjtë shumë, problem, por po duhet me bo zgjidhje”, ka thënë ai pa dashur të zbulojë poashtu identitetin.

Të gjithë familjarët që kanë pranuar të flasin për situatën në Klinikën e Onkologjisë kanë kërkuar të mbesin anonimë, nga frika se deklarimet e tyre mund të ndikojnë negativisht në trajtimin e mëtejshëm të të afërmve të tyre. Ata shprehen të pasigurt dhe të frikësuar nga mundësia e ndonjë hakmarrjeje apo përkeqësimi të shërbimeve në rast se kritikojnë hapur sistemin shëndetësor.
Përkundër vështirësive të mëdha financiare dhe emocionale, ata kërkojnë vetëm trajtim dinjitoz për më të dashurit e tyre.
Tutje, IndeksOnline ka kërkuar nga SHSKUK, sqarime lidhur me mungesën e produkteve medicinale, mirëpo të njëjtit deri më sot nuk ka kthyer as edhe një përgjigje në adresë të redaksisë./IndeksOnline/