Në kontekstin aktual gjeopolitik, çdo përpjekje për të rinis ur dialogun Kosovë–Serbi pa një riformatim të thellë të qasjes dhe pa vendosjen e një parimi themelor – njohjen reciproke – është e destinuar të dështojë. Presioni në rritje për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sidomos në formën me kompetenca ekzekutive, është jo vetëm antikushtetues, por përbën edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Nëse Bashkimi Evropian ka vërtet për qëllim stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, duhet të heqë dorë nga qasja teknike dhe të rifokusojë dialogun mbi parimet e barazisë dhe reciprocitetit. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, në formën aktuale, kanë prodhuar më shumë paqartësi sesa siguri. Ato janë të njëanshme, nuk përmbajnë mekanizma detyrues për Serbinë dhe i japin përparësi kërkesave të Beogradit, pa reflektuar realisht interesat dhe parimet kushtetuese të Kosovës.
Qasja e diplomacisë evropiane, e mishëruar nga komesionerja e Bashkimit Evropian, Marta Kos të martën me 4 Qershor 2025 ka deklaruar se: “Ruga drejt Bashkimir Evropian varet nga normalzimi i mardhenjeve me Serrbin dhe jo të veprimeve të njëanshme” është “absurditet i llojit të vetë” sepse përfaqësuesit e BE-së insistojnë në përparësi të temës së Asociacionit, ndërsa heshtin për nevojën bazike të një njohjeje reciproke. Ky është një pozicion që minon besueshmërinë e BE-së si ndërmjetës dhe e zhvesh dialogun nga parimi i barazisë. Serbia vazhdon të mos i përmbushë obligimet ndërkombëtare, të sabotojë marrëveshjet që ka nënshkruar, dhe madje të promovojë struktura ilegale në veri të Kosovës, ndërkohë që ndaj Kosovës vendosen kërkesa të njëanshme dhe presione të pabalancuara.
Kosova nuk mund të vazhdojë të jetë palë e nënshtruar në një proces që favorizon sistematikisht agresorin. Për një riformatim real të dialogut, është jetike që Kosova të artikulojë qartë se nuk do të pranojë kurrë formimin e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive që krijon një strukturë paralele brenda shtetit, duke përsëritur modelin destabilizues të Republikës Srpska në Bosnje. Në vend të kësaj, dialogu duhet të drejtohet drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje, të bazuar në njohjen reciproke dhe me garanci të qarta nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO për rendin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Vetëm një qasje e tillë do të shërbente si themel i qëndrueshëm për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Çdo alternativë tjetër është improvizim i dëmshëm dhe shpërdorim i potencialit historik për të mbyllur një kapitull të gjatë të konfliktit në Ballkan.