Ndërsa në Kosovë vijon bllokimi institucional për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, komentoi situatën në një intervistë për Euronews Albania, duke fajësuar opozitën për ngërçin politik.

Sipas Bashës, si forcë fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosjes i takon të propozojë dhe të zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Ai theksoi se nuk ka asnjë arsye që opozita të pengojë procesin apo të refuzojë emrin e propozuar, në këtë rast Albulena Haxhiun.

“Këmbëngulja për Albulena Haxhiun vjen sepse ne jemi fituesit dhe na takon ta propozojmë kryetarin. Kundërshtimi nga opozita nuk ka asnjë bazë morale. E pandershme është të dalin kundër pa asnjë argument. Imagjinoni sikur ne të refuzonim emrat e tyre për nënkryetar,” deklaroi Basha.

Ai shtoi se opozita është futur në një rrugë pa krye dhe shpreson që së shpejti t’i “thërrasë arsyes”, pasi përndryshe, sipas tij, bllokada do të thellohet edhe më shumë.

“Kemi bërë oferta të ndryshme, kemi qenë konstruktivë. Propozuam fillimisht votim të hapur, më pas edhe të fshehtë, që deputetët të mos jenë nën presionin e liderëve të tyre. Por opozita ka refuzuar gjithçka, madje edhe Komisionin Zgjedhor,” u shpreh Basha.

Ai foli gjithashtu për ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti ndaj LDK-së për të ndërtuar një koalicion që do zhbllokonte situatën, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm.

“Kryeministri Kurti ka ofruar bashkëpunim me LDK-në, edhe për qeverinë, që të kemi numrat për të zgjidhur këtë krizë institucionale. Por LDK e refuzoi. Nuk dimë çfarë të ofrojmë më shumë. Ne preferojmë një koalicion me LDK-në. Sa i përket PDK-së, ata duhet të qëndrojnë në opozitë për t’u pastruar nga dëmet që i kanë shkaktuar Kosovës gjatë qeverisjes së tyre,” theksoi Basha.