Deshqiptarizim i administratës – Alarm nga FRASH: Në 205 punësimt e fundit, vetëm dy janë shqiptarë (VIDEO)

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët (FRASH) ka alarmuar sot se vetëm dy shqiptarë ka në 205 punësimt e fundit në adimistratën publike. FRASH përmes një konference për shtyp para Qeverisë, këtë procesi e quajti deshqiptarizim të administratës publike në Maqedoninë e Veriut.
FRASH për këtë padrejtësi që u bëhet shqiptarëve, fajson drejtpërdrejt Zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, për siç thonë, mosveprim dhe mungesë reagimi ndaj kësaj situate diskriminuese. Sipas tyre, një zëvendëskryeministër që nuk reagon kur shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nuk i përfaqëson shqiptarët.
Sipas të dhënave të publikuara, FRASH thekson se nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të fundit në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Dogana, REK Manastir dhe të tjera, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar, në krahasim me 203 maqedonas. Sipas FRASH, ky disproporcion, është tregues i qartë i një politike të dirigjuar për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë.
FRASH kërkon transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion shtetëror, dhe u bën thirrje të rinjve shqiptarë të mos e pranojnë heshtjen si normalitet dhe të reagojnë me mjete demokratike kundër këtij procesi që cilësohet si antishqiptar dhe antievropian.