As sot s’ka konstituim të Kuvendit, transmeton Klankosova.tv.

Deputetët e betuar nuk arritën që ta çojnë përpara procesin që ka nisur qysh nga 15 prilli.

Seanca e radhës mbahet pas 48 orësh.

10:57 – LDK me letra para vetes, a mund të ketë ndonjë propozim?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe depuetja e betuar e kësaj partie, Hykmete Bajrami, janë parë me disa letra para vetes, të ulur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku pas pak pritet të fillojë seanca e 25-të, në përpjekje për konstituim.

Akoma nuk dihet nëse është ndonjë propozim apo çfarë diskutimi kanë bërë Abdixhiku dhe Bajrami, transmeton Klankosova.tv.

10:54 – Haziri i përgjigjet Kurtit: LDK ka votu dy gra presidente, ke shku shumë larg me këtë punë

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri i është përgjigjur komenteve të liderit të Vetëvendosje, i cili e quajti opozitën patriarkale, duke e cilësuar se ka probleme me përfaqësimin e gruas.

Haziri përmendi dy raste specifike, për të cilat u shpreh se LDK-ja, ka gjetur gjithmonë zgjidhjen ndryshe nga ajo se çfarë pretendon Albin Kurti, transmeton klankosova.tv.

”Ky vend ka dhënë emra të fortë të grave në politikë. Zonjave të zgjedhura që kanë fitu dhe që kanë udhëheqë. Për rastin specifik, LDK ka votu dy gra presidente, por sipas marrëveshjes politike. Dhe në të dy rastet nuk është mbajtë fjala e LDK-së. Edhe në rastin e parë tek zonja Jahjaga, edhe në rastin e zonjës Osmani. Nuk e di ku mundet me gjetë.. e me ardhë në këtë kohë e me thanë se partitë politike në kuvend, kanë probleme me përfaqësimin e gruas, është shumë keq, dhe shumë larg ka shku me këtë punë”.

10:46 Behrami: LVV-ja ditëve të fundit ka nisur të flasë mirë për Gjykatën Kushtetuese, kjo më çudit

Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka shkelur Kushtetutën 12 herë.

Këtë deklaratë Behrami e bëri për media para nisjes së tentimit të 25-të të konstituimit të seancës.

“I kemi 10 oferta se qysh me dal nga kjo krizë dhe qysh me u konstituu kuvendi, mirëpo zotëri Kurti është duke refuzuar çdo ofertë. Prandaj nuk pres që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të ketë ndikim”, tha ai.

Ai theksoi se po e çuditë fakti se LVV-ja ditëve të fundit ka nisur të flas mirë për Gjykatën Kushtetuese.

10:39 – Musliu thotë se Kurti shkatërroi Kosovën dhe nuk po ndihet përgjegjës

Deputetja e betuar e PDK-së, Ganimete Musliu, ka refuzuar t’u përgjigjet deklaratave të liderit të Vetëvendosjes, i cili e quajti opozitën ‘patriarkale’ për shkak se nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

”Kush është zotri Kurti?”, dëgjohej ndër tjera të shprehej ajo, transmeton klankosova.tv.

”S’i komentoj deklaratat e pamatura, nga njerëzit që nuk ndihen përgjegjës për shkatërrimin e Kosovës”.

10:38 – Krasniqi: Partia e parë do ta ndryshojë kandidatin, kjo është zgjidhja e vetme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Altin Krasniqi, ka deklaruar se pret që partia fituese ta ndryshojë kandidaten, në mënyrë që të lëvizin drejt zhbllokimit të “ngërçit politik” në Kuvend.

Krasniqi këtë deklarim e para para nisjes së seancës së 25-të konstituive të Parlamentit të Kosovës.

Ai e mohoi deklarimin e kreut të VV-së Albin Kurti, se nuk po e votojnë Albulena Haxhiun sepse ajo është grua.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do ta ndryshojë kandidatin, pasi që nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk është e vërtetë. Ka deputetë që kanë deklaruar që votojnë gra tjera”, tha ai.

“Besoj se partia e parë do ta ndryshojë kandidatin. Kjo është zgjidhja e vetme”, deklaroi Krasniqi.

10:33 – Kurti i quajti ”patriarkalë, Demaku: Nuk shqetësohemi aspak

Deputeti i betuar i PDK-së, Fadil Demaku, ka bërë të ditur se subjekti që ky përfaqëson nuk shqetësohet aspak mbi komentet e liderit të VV-së, Albin Kurti i cili së fundi e quajti opozitën ‘’patriarkale’’.

E gjitha siç shprehej kryeministri në detyrë, meqë s’po e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, transmeton klankosova.tv.

”Pse ka thënë Kurti jemi patriarkalë, a shqetësohemi ne? Aspak hiç”.

”Qëndrimet e PDK-së tashmë janë bërë shumë të qarta. Për gjithçka është fajtor Albin Kurti”.

10:20 – Peci: Ka pasur takime me Limajn, Nismën e shohim si partner

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka folur për mediat para nisjes së seancës së 25-të konstituive të Kuvendit.

Ai tha se Nismën Socialdemokrate e shohin si partnere, transmeton klankosova.tv.

“Për negociatat me Nismën Socialdemokrate negociatat e zhvillon Lëvizja Vetëvendosje ose kryeministri Albin Kurti. Ka pasur takime me Fatmir Limajn, para dy a tri ditësh. Nuk e di se në çfarë niveli është realizuar. Është konfirmuar edhe nga akterët e Vetëvendosje. Deri në këtë fazë nuk jam në dijeni të ketë lëvizur diçka”, deklaroi Peci.

“Çdo herë vijmë me shpresën se ka lëvizur diçka nga kampi opozitar. E vërteta është që qytetarët presin që ne me ju ofru zgjidhje, ne nuk kemi bërë lëvizje në këtë drejtim. Tash, në vazhdimësi kemi komunikim. Unë nuk jam prej atyre që kam zhvilluar bisedime”, theksoi ai.

10:12 – Bahtiri i shqetësuar, bën thirrje: Reflektoni, po dalim keq para ndërkombëtarëve

Sot do të zhvillohet edhe tentativa e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i betuar nga radhët e LVV-së Agim Bahtiri, para seancës i bëri thirrje sërish ish opozitës të reflektojë.

“Është e tmerrshme, edhe para familjeve të tyre se lërë më para popullit”, tha ai.

“Edhe njëherë po ju bëjë thirrje që të reflektojnë pozitivisht se jemi duke dalur keq para ndërkombëtarëve, por edhe para popullit”, tha Bahtiri.

10:07 – Bogujevci pas përplasjeve: Me Serbinë kam pasë luftë që fëmijë

Deputetja e betuar e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka komentuar zhvillimet e fundit mbi përplasjen e saj dhe njërit prej gazetarëve për një fotografi të Albin Kurtit.

Ajo u shpreh se imazhi i shkëputur i takonte gjatë një përkujtimi të viktimave të familjes së saj nga tragjedia e përjetuar në kohën e luftës, transmeton klankosova.tv.

”Nuk është përmend emri im për pozitën e kryeparlamentares. Është përmend se është menduar, se unë kam qenë lartë atje si nënkryetare dhe i kam rënë në mend dikujt si propozim?”

”Unë nuk kam qenë vetëm një viktimë e luftës ku më është vra familja dhe kam qenë viktimë. Kam luftu me Serbinë që fëmijë. Para se mi hy politikës, unë kam pasë luftë me Serbinë”.

”Po më shtin me kuptu se unë nuk jam mirënjohëse. Vetëm se jemi viktima të luftës, s’do të thotë që ne nuk e kemi mendjen tonë, nuk dimë asgjë. Edhe ne kemi mendim, mundemi mos me u pajtu me njëri-tjetrin, por dimë diçka. Fjala jonë ka peshë”.