Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së 29-vjeçarit në lagjen nr.18 në Durrës.

Autoritetet kanë identifikuar deri tani pesë persona të përfshirë në ngjarje, prej të cilëve dy janë arrestuar dhe tre janë shpallur në kërkim.

Dy të arrestuarit dyshohet se kanë kontrabanduar dy automjete në Shqipëri, përfshirë makinën që u përdor gjatë vrasjes dhe një tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Automjeti i dytë është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim për sigurinë e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes, si dhe për kontrabandë. Sipas hetimeve, të tre ndodhen jashtë vendit dhe po punohet me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e tyre.

Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë, ndërsa autoritetet, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin ligjor dhe kapjen e të gjithë autorëve të dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 29-vjeçarit, në lagjen nr.18, Durrës.

Shkon në 5 numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit.

-Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas që kanë kontrabanduar në Shqipëri, automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes dhe një automjet tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Policia gjen dhe sekuestron automjetin tjetër.

-Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje dhe për kontrabandë të mallrave.

2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.

Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:

-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
-u shpall në kërkim shtetasi Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit E. D.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.

Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Të 3 shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit. Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Top Channel