Detajet e takimit në Shtëpinë e Bardhë: Trump i jep Iranit 48 orë përpara se të vendosë për sulmin ushtarak

Epilogu i takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili u drejtua nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, është se Iranit do t’i jepet mundësia për një zgjidhje diplomatike të luftës me Izraelin në 48 orët e ardhshme.
Nuk pati deklaratë nga Shtëpia e Bardhë pas takimit, megjithatë raportohet se përfshirja ushtarake amerikane është shtyrë për të paktën dy ditë, gjatë të cilave Trump dëshiron që “Irani të ulet në tryezën e negociatave”.
Negociatorët amerikanë të martën i qëndruan besnikë një vlerësimi të mëparshëm se “Irani është në një pozicion të dobët” dhe mund të “detyrohet të kthehet në tryezën e negociatave”.
Vlerësimi i tyre është se Irani do të pranonte një marrëveshje që do ta detyronte atë të braktiste plotësisht pasurimin e uraniumit.
Regjimi iranian ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të rifilluar bisedimet me SHBA-në, por administrata e Donald Trumpit po kërkon hapa më konkretë përpara se të braktisë opsionin e luftës.
Nëse Irani kthehet në negociata dhe pranon t’i japë fund pasurimit të uraniumit, zyrtarët amerikanë besojnë se një takim i nivelit të lartë, i kryesuar nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe me pjesëmarrjen potenciale të zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance, mund të zhvillohet që këtë javë.
Megjithatë, një skenar i tillë kërkon që Irani të veprojë shpejt. Trump tashmë ka pranuar se po i mbaron durimi me situatën aktuale në Lindjen e Mesme.
Nuk ka ende një vendim zyrtar që ShBA-ja t’i bashkohet luftës, por Trump sugjeron që kjo mundësi mbetet në tryezë.