Dhjetëra nxënës janë përjashtuar nga dhënia e provimit të parë të jashtëm të maturës shtetërore të shtunën, pasi janë kapur duke kopjuar nga telefoni – bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

“Sipas informacioneve që kam deri më tani, sepse procesi ende nuk është përfunduar, numri i nxënësve që kanë kopjuar është ndjeshëm më i ulët. Aktualisht kemi informacione për dhjetëra fëmijë që janë përjashtuar nga testimi, pasi janë kapur duke kopjuar nga telefoni. Të dhënat po mblidhen dhe për disa ditë do të jenë të plota. Duke marrë parasysh se sa janë përjashtuar vitin e kaluar, mendoj se ka përparim dhe pres që çdo vit kjo të përmirësohet gjithnjë e më shumë”, tha Janevska duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve gjatë vizitës në objektin në ndërtim të shkollës fillore “Krste Misirkov” në Çento.

Për shkak të masave të shtuara të kontrollit, ajo pret që numri i përjashtimeve të jetë edhe më i vogël në provimin e dytë të jashtëm më 11 qershor, kur – siç tha – do të kenë informacione të plota për të gjithë nxënësit e përjashtuar për kopjim, por se “ky numër nuk do të jetë shumë më i madh”.

Më shumë se 15.000 nxënës dhanë të enjten pjesën e parë të maturës shtetërore – testin e gjuhës amtare (maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht) dhe letërsisë, që është i detyrueshëm për të gjithë maturantët.