Dimitrieska Koçoska në takim me guvernatorin e ri Sllaveski – U shpreh angazhimi për koordinimin efikas midis politikës monetare dhe fiskale, si parakusht për stabilitetin makroekonomik

4 qershor 2025, Shkup – Sot, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska u takua me guvernatorin e sapozgjedhur të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski. Në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale ekonomike dhe shprehën angazhimin e tyre për vazhdimin dhe përforcimin permanent të koordinimit midis Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore me qëllim të miratimit të politikave që do të jenë të qëndrueshme dhe në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Në këtë takim u theksua bindja e përbashkët se stabiliteti aktual makroekonomik është prioritet që duhet të ruhet dhe të avancohet edhe më tej përmes politikave të harmonizuara dhe të koordinuara në mënyrë të duhur. U theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis pushtetit fiskal dhe atij monetar, me qëllim të sigurimit të mjedisit të parashikueshëm ekonomik, si parakusht themelor për rritje më të shpejtë ekonomike.
Gjithashtu, u theksua edhe rëndësia e qasjes së koordinuar mes të gjithë rregullatorëve financiarë në vend, për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe gjithëpërfshirës, i cili do të jetë rezistent ndaj goditjeve të jashtme dhe në funksion të progresit ekonomik afatgjatë të vendit.
Ministrja Dimitrieska Koçoska dhe guvernatori Sllaveski shprehën gatishmëri për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional për adresimin efektiv të sfidave aktuale dhe të ardhshme ekonomike.