Dy foshnje të tjera kanë vdekur nga kequshqyerja dhe mungesa e ushqimit për fëmijë për shkak të bllokadës së rëndë të Rripit të Gazës nga Izraeli dhe gjenocidit të tij kundër palestinezëve, raporton Anadolu.

Në spitalin “Nasser” në qytetin jugor të Khan Younis, trupat e pajetë të foshnjave u përcollën në udhëtimin e tyre të fundit me lot dhe trishtim të thellë.

Familjet përjetuan dhimbjen e humbjes së foshnjave të tyre të privuara nga të drejtat e tyre më themelore shëndetësore dhe të ushqyerjes.

Në deklaratat e bëra nga dy spitale në Gaza më 19 qershor, ato paralajmëruan për një “katastrofë të afërt shëndetësore” që kërcënon jetën e foshnjave si pasojë e bllokadës dhe sulmeve të vazhdueshme.

– Ka edhe foshnje të tjera në situatë të ngjashme

Mahmud Sherab, xhaxhai i foshnjës 5-muajshe Nidal, për Anadolu tha se nipi i tij vdiq për shkak të “ushqyerjes së pamjaftueshme dhe mungesës së ilaçeve”. Ai theksoi se kishte edhe foshnje të tjera në spital në gjendje të rëndë dhe se formula terapeutike dhe ushqimet e përshtatshme duhet të dorëzoheshin urgjentisht në rajon.

Muhammed el-Hems, babai i foshnjës 10-ditëshe Kinda, tha se vajza e tij vdiq për shkak të “kequshqyerjes dhe mungesës së ilaçeve”.

Ai shtoi se bota po shikon në heshtje vdekjen e fëmijëve nga uria në Gaza dhe reagoi ndaj heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare kundër krimeve të kryera nga Izraeli.