Dyshohet se ndërhyn në sistemin e një banke, policia jep detaje për arrestimin e 15 personave në Gjilan

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesëmbëdhjetë persona janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë”, “Keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit” si dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Të dyshuarit janë arrestuar dje dhe janë dërguar në mbajtje.
“Gjilan / 09.01.2024-10:00. Njësitet policore pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, me datë 02.06.2025 kanë arrestuar pesëmbëdhjetë (15) të dyshuar kosovarë nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat e cekura. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.”, ka bërë të ditur Policia në raportin 24 orësh.
Ndërkohë, siç bëri të ditur dje Prokuroria Themelore në Gjilan “të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe ne marrëveshje paraprake ne mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar”.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës. /Reporteri.net/