Jehona Lushaku, deputete e LDK-së i është përgjigjur Albin Kurtit për akuzat ndaj opozitës se bojkoti i kuvendit nga opozita është shkelje e Kushtetutës.

“Albin Kurti sot paska guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që ai vet e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese.
Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën.
Vetëm gjatë mandatit të kaluar, Albin Kurti dhe Qeveria e tij kanë shkelur Kushtetutën të paktën 10 herë.
Ja disa raste flagrante:

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës
Ndërhyrja në komunën e Kamenicës për reformën në arsim
Ligji për zyrtarët publik
Ligji për pagat
Ligji për masat e përkohshme në treg
Shkarkimi i Bordit të RTK-së
Shkarkimi i Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil
Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP-së
Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme
Ligji për Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil
Nuk ka kushte më të rënda për demokracinë se kur një Kryeministër në detyrë e përdor Kushtetutën si vegël pushteti” shkruan Lushaku në reagim.