E goditën me grusht në kokë dhe i morën mbi 170 mijë denarë – dy persona në paraburgim për grabitje në Kumanovë

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, për të cilët ekziston dyshim i bazuar për veprën penale – Grabitje, sipas nenit 237 paragrafi 1 i Kodit Penal.
Më 10 qershor, të dy bashkëkryesit i kanë marrë para një personi të cilin e kishin vërejtur duke shkëmbyer valuta. Ata e kanë ndjekur dhe, kur ai është afruar te shtëpia e tij familjare, e kanë goditur me grusht në kokë. Kur viktima ka rënë pa ndjenja, ata i kanë marrë 172.000 denarë dhe 37.460 dinarë serbë, dhe menjëherë janë arratisur.
Me propozim të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dy të dyshuarit.