Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e televizionit amerikan dhe fansat e serialit të njohur të animuar King of the Hill.
Aktori Jonathan Josh, 59 vjeç, u gjet i vrarë me armë zjarri në San Antonio, Teksas. Sipas raportimeve nga policia lokale, ai u gjet i plagosur rëndë pranë një rruge dhe megjithëse u ndërmorën përpjekje për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë në vendngjarje. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites dhe brenda pak orësh u arrestua i dyshuari kryesor, Alvarez Seham, 56 vjeç, fqinj i aktorit, i cili dyshohet se ishte larguar me nxitim nga vendi i krimit.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, i akuzuar për vrasje me paramendim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar motivet e kësaj tragjedie. Vdekja e aktorit ndodhi vetëm pak ditë përpara rikthimit të shumëpritur të serialit King of the Hill në platformën Hulu. Josh pritej të rikthehej në rolin e John Redcorn, personazh që e kishte zëvendësuar që nga sezoni i tretë pas ndarjes nga jeta të aktorit origjinal, Victor Aron, në vitin 1996. Sipas burimeve të afërta me produksionin, Josh kishte përfunduar një pjesë të xhirimeve dhe ishte shumë i emocionuar për rikthimin në këtë projekt.
Vetëm disa orë para ngjarjes, aktori kishte ndarë në Instagram një video ku shprehte gëzimin për pjesëmarrjen e tij në serial dhe ndodhej në Austin, Teksas, për takime promovuese. Një javë më parë, ai kishte marrë pjesë në Festivalin ATX TV, ku u shfaq në një panel së bashku me aktorët Pamela Adlon, Lauren Tom dhe shkrimtarin Saladin K. Patterson, duke diskutuar për rilindjen e serialit që pritet të ketë premierën në gusht. Përveç rolit të tij në King of the Hill, Jonathan Josh kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme në film dhe televizion, me role të spikatura në serialet Parks and Recreation (ku luante Shefin Ken Hotate), Tulsa King, Ray Donovan, si dhe në filmat True Grit dhe The Magnificent Seven.