Më 9 qershor 2025, Fakulteti i Arteve – drejtimi Art Figurativ, e përmbylli me sukses vitin akademik përmes organizimit të një ekspozite solemne, e cila shënoi kulmin e përpjekjeve, kreativitetit dhe zhvillimit artistik të studentëve gjatë vitit akademik 2024/25.
Ekspozita paraqet një përzgjedhje të veprave të realizuara në kuadër të lëndëve të programit studimor, si rezultat i një pune intensive, studimi të përkushtuar dhe bashkëpunimi të ngushtë mes studentëve dhe profesorëve. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe punës praktike, studentët kanë përvetësuar njohuri të thelluara dhe kanë zhvilluar shprehjen e tyre unike artistike.
Çdo vepër e ekspozuar bart individualitetin, talentin dhe përkushtimin e studentit, duke reflektuar atë që shpeshherë mbetet e pathënë me fjalë. Kjo ekspozitë është më shumë se një përmbyllje akademike – është një dëshmi e vlerave, pasionit dhe potencialit të gjeneratës së re.
Prodekanja për arsim e kësaj njësie akademike, Prof. Dr. Jëlldëz Asani, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi: “Për disa prej studentëve tanë, kjo ekspozitë është një hap i parë drejt një udhëtimi të ri krijues, plot sfida dhe mundësi. Rruga e artit nuk përfundon kurrë – ajo zgjeron vazhdimisht horizontet. Pavarësisht se ku do t’i çojë jeta, gjurmët e kësaj përvoje do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit të tyre artistik.”
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për respektin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e studentëve gjatë gjithë viteve të studimeve, duke theksuar se ata kanë qenë përfaqësues dinjitozë të fakultetit në çdo aktivitet, brenda dhe jashtë institucionit.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, u shpreh: “Kjo periudhë ka qenë më shumë sesa një përgatitje akademike – ka qenë një udhëtim i formimit profesional dhe personal, ku secili prej jush ka lënë gjurmën e vet të veçantë. Dyert e Fakultetit të Arteve do të jenë gjithmonë të hapura për ju – për këshilla, bashkëpunime, përkrahje, apo thjesht për një rikthim në vendin ku nisët ndërtimin e ëndrrave tuaja.”
Në përmbyllje të aktivitetit, rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me dekanin Abduli, ndanë mirënjohje për studentët me suksesin më të lartë akademik gjatë ciklit të studimeve. Ky vlerësim përbën jo vetëm shpërblim për rezultatet akademike, por edhe dëshmi e pasionit, angazhimit dhe përkushtimit të tyre të vazhdueshëm ndaj artit dhe dijes.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com