Familjes shqiptaro-palestineze: 2,2 milionë njerëz nuk kanë bukë! Një djalë e humbëm, tjetri shëtit me flamurin shqiptar në Gaza

“Përshëndetje nga Gaza. Jemi vendosur në çadër, pasi shtëpia jonë është në një vend shumë të rrezikshëm”, kështu e nis rrëfimin në shqip, palestinezi Abdullah Jabir, i cili bashkë me familjen e tij, gruan dhe djalin, jetojnë në atë që konsiderohet sot “ferri mbi tokë”.
“Kam jetuar në Shqipëri nga viti 1994. Jam i martuar me Albinën, nusen time të dashur nga Korça. Kam djalin tim Jakubin, ndërsa djalin tjetër e kemi humbur nga kjo luftë, Ibrahim, ndërsa djali i madh, Ahmedi, është në Tiranë”, thotë ai, teksa zbulon se Ahmedi edhe është martuar para gjashtë muajsh.
Abdullah zbulon në një rrëfim ekskluziv për “Off the Record” me Andrea Dangllin, pse ka zgjedhur të jetojë këtu, pavarësisht se ka humbur një djalë.
“Jemi palestinezë, prindërit e mi janë këtu. Kemi shtëpinë këtu në Gaza dhe po vazhdon jeta. Ndodhi lufta dhe ne këtu na ndihmoi shumë ambasada shqiptare në Egjipt. I kam lumtur nusen me Ibrahimin dhe Jakubin për të ikur, sepse unë nuk lë dot mamanë dhe motrën me gjithë familjen, që janë këtu, por prapë nusja tha, Abdullah unë kurrë nuk të lë. Jemi vendosur në Gaza”.
Nuk preferon të flasë shumë për atë që po bën ushtria izraelite në Gaza. “Ju i shikoni vetë”, thotë ai. Teksa flet, në sfond dëgjohen bombardimet e ushtrisë izraelite. “Janë bombat e izraelitëve sipër popullit të Gazës. Por nuk do të flas për atë, ju i shihni vetë. Do flas për vështirësitë e popullit të Gazës. 2,2 milionë persona sot nuk gjejnë bukë. Jetojmë një herë me bukë, një herë pa bukë. Por edhe ky, për zotin, nuk është problem. Nuk gjejmë ujë, duhen gati një orë për të mbushur bidonin. Jeta është tmerr. Telefonin që po filmojmë, ecim gati gjysmë ore që të gjejmë një pikë për ta karikuar”, shkruan A2 CNN.
Pavarësisht asaj që po përjeton familje e tij, Abdullah thotë se nga kjo luftë, anëtarët e familjes janë më afër njëri-tjetrit. Vërtet kohë e vështirë, por e ka bërë familjen prej hekuri. Dashuri, kujdes për njëri-tjetrin”.
Jabir tregon se në zonën e Gazës ku ai jeton, palestinezët duan të mësojnë shqip dhe kanë fituar respekt të veçantë për Shqipërinë. “Albina përfaqëson Shqipërinë brenda Gazës. Në çdo vend ku ajo shkon dhe marrin vesh që është shqiptare dhe ka mundësi të largohet nga ky siklet dhe nuk largohet, sepse ka mundësi të rrijë afër burrit dhe familjes, nuk e dini çfarë respekti kanë. Sa njerëz e duan Shqipërinë në Gaza, nga Albina. Kanë filluar mësojnë gjuhën shqipe, për zotin, nga Albina. Jakubi që vesh bluzën me flamur shqiptar dhe del për qejf, thotë jam palestinez shqiptar”, tregon ai./A2CNN