Ashtu si në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup, shumë besimtarë u mblodhën nëpër xhami për të falur namazin e Bajramit.
Manifestimi u mbajt qendror në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup.
Gjatë ceremonisë u recituan ajete nga Kurani dhe u kënduan ilahi në disa gjuhë.
Në mesazhin e tij para besimtarëve, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, tha se madhështorja e kësaj Feste të madhe qëndron në faktin se në këto ditë është plotësuar zbritja e Kuranit, janë ditë të kryerjes së Haxhit dhe besimtarët kryejnë obligimin e prerjes së kurbanëve të tyre për hirë të Allahut.
“Kurban Bajrami është shprehje e besimit të palëkundur për të sakrifikuar gjithçka po bile edhe më të shtrenjtën për hir të Allahut – për të dëshmuar në praktikë se dashuria dhe përkushtimi ndaj madhërisë së Tij është mbi çdo gjë tjetër, ashtu siç veproi Ibrahimi a.s. i cili ishte i gatshëm për të flijuar birin e tij Ismailin a.s”, tha Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI.
Institucioni i kurbanit është një shprehje konkrete për të kuptuar se nuk ka vepra madhore pa përpjekje dhe flijim madhor dhe se njeriu vlen aq sa është i gatshëm të ndajë më të dashurën për të tjerët.
“Andaj, festa e Kurban Bajramit, nuk është thjeshtë një ditë feste, por është festë që edukon besimtarin të jetë bujar, fisnikëron shpirtin dhe zemrën, e bën pjesëmarrës në vepra të mëdha, e nxit të jetë solidar, të ndihmojë të varfrit dhe skamnorët, forcon lidhjet shpirtërore dhe shoqërore, nxit unitetin në të mirë dhe në vështirësi, dhe kultivon paqen, dashurinë e bashkëjetesën mes njerëzve”, shtoi Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI.
Pas namazit, ky bajram karakterizohet me therjen e kafshëve në shenjë devotshmërie ndaj Zotit, një ritual që buron që nga koha e profetëve Ibrahimit dhe Ismailit. Pas kësaj, vazhdohet me vizitat tradicionale tek të afërmit, ndërsa gëzimi më i madh është tek fëmijët, që sot marrin edhe dhurata.