Dita e Arafatit është dita e nëntë e muajit Dhulhixhxhe në kalendarin islamik, një ditë para ditës së Festës së Kurban Bajramit. Dita e Arafatit është e veçantë për besimtarët myslimanë, pasi ajo është pjesa kryesore e ritualit të haxhit. Për këtë ka shkruar kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahur, i cili mes tjerash thotë se Arafati është një hapësirë që u flet zemrave të njerëzimit se të gjithë i përkasin Zotit.

Shkrimi i kreut të BFI-së:

Miliona njerëz qëndrojnë në luginën e Arafatit për të kryer kushtin themelor të Haxhit — pa të cilin nuk ka Haxh të plotë. Të gjithë të veshur me ihramin e bardhë, të përulur përpara Zotit të Madhërishëm, me thirrjen: “Të përgjigjemi, o Zoti ynë, të përgjigjemi!”

Të përgjigjemi me shpirtin tonë, me zemrën tonë, me pasurinë, me fuqinë e trupit dhe mendjes. Të pasur e të varfër, me ngjyra të ndryshme, nga pozita të ndryshme shoqërore, por të gjithë të barabartë — nga të gjitha kombet e botës, si vëllezër që buzëqeshin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.

Të gjithë në të bardha, si kokrrat e rërës në shkretëtirë, dëshmojnë barazinë ndërnjerëzore, paqen, tolerancën, respektin, unitetin dhe shërbimin ndaj njëri-tjetrit.

Arafati është një hapësirë që u flet zemrave të njerëzimit se të gjithë i përkasin Zotit dhe se të gjithë duhet të jenë në shërbim të mirëqenies së krijesës më të bukur të Allahut — njeriut. Aty, miliona besimtarë demonstrojnë paqen për t’i treguar botës se paqja është dhurata më e çmuar për njerëzimin.

Përmes pranisë së tyre, ata shpallin:

Mjaft më me vrasjet, mbytjet, luftërat, masakrat, gjenocidet, varfërinë, diskriminimin!

Me vetëdije të lartë, i drejtohen Zotit të Madh:

> “Na udhëzo, o Zoti ynë! Na i fal mëkatet! Forco dinjitetin tonë dhe besimin në të ardhmen! Forco kombin tonë! Lësho bekimin Tënd mbi ne, që të kemi mbarësi në këtë dhe në botën tjetër!”

Edhe 2020 haxhilerë nga vendi ynë janë pjesë përbërëse e këtij kongresi madhështor e shpirtëror, duke treguar e dëshmuar përfaqësimin e kombit tonë në luginën e Arafatit me vetëdije të lartë, si bartës të vlerave që i shërbejnë së mirës dhe njerëzimit.

Kështu na do Zoti!