Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i është përgjigjur kryetares së Shkupit Danella Arsovska, e cila ditë më parë porositi Ganiun të arratisen në Kosovë për t’i shpëtuar ndjekjes për keqpërdorimet në komunën e Çairit.

Në emisionin “Dialog te Lajmi”, Ganiu tha se nuk ka asnjë arsye për t’u arratisur në Kosovë, ndërsa tha se Arsovskën mund ta dërgojë në Ferizaj për ta mësuar se si zhvillohen qytetet.

“Vetë paraqitja e asaj tregon për nivelin, tregon për brendinë që e ka ajo ndaj neve edhe si shqiptarë, në këtë kontekst. Për shkak se vetë fakti që përmend Kosovën, Kosova sigurisht që te ajo asocon për diçka të keqe. Unë nuk arratisem në Kosovë, unë shkoj e vizitoj Kosovën shumë shpesh sepse atje kam familjen. Qyteti që më së shumti e frekuentoj është Ferizaji sepse nëna ime e ndjerë ka qenë prej Ferizaji. Ndonjëherë mund ta ftoj z.Arsovska për kafe dhe ta sheh se si evaluojnë qytetet dhe ata kryetar që janë menaxhet të mirë. Sot, Ferizaji mund të them që është konkurent edhe me Prishtinën si kryeqendër, mos të flas për kryeqendrat tjera se si zhvillohen në rajon këtu, duke marrë parasysh edhe Tiranën edhe Prishtinën. Për fat të keq Shkupi është në nivelin më të ulët. Arsyen e dimë të gjithë, e dinë edhe qytetarët. Është Danella Arsovska. Një njeri që nuk e ka lëvizur një cm asnjë punë në qytetin e Shkupit”, tha Ganiu në emisionin “Dialog te Lajmi” që transmetohet sot në ora 17:00.