Gazetari nga Austria: Një vajzë nga Kosova në mesin e viktimave në sulmin që ndodhi në shkollën e Grazit

Një sulm i dhunshëm me armë që ka ndodhur në një shkollë të mesme në Graz, një nga qytetet më të mëdha të Austrisë, të paktën 10 persona, përfshirë autorin e krimit, kanë humbur jetën.
Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, ka konfirmuar se vrasësi ishte një ish-nxënës i shkollës që nuk e kishte mbaruar atë. Për më tepër, ai ka shtuar se detaje të tjera rreth ngjarjes ende mbeten të pasqaruara.
Gazetari kosovar Vehbi Haliti që jeton dhe vepron në Graz të Austrisë, në një prononcim për FRONTAL të T7 ka thënë se për fat të keq një prej viktimave të sulmit në një shkollë në këtë qytet është edhe një vajzë nga Kosova.
“Fatkeqësisht po them se është e saktë. Është një vajzë e një aktivisti tonë këtu në Graz. Është anëtarë i kryesisë i Unionit Humanitar në Graz. Është një tragjedi më të mëdha pas luftës së dytë botërore në Austri, sa i përket tragjedive të qëllimshme”, ka thënë ai.
“Unë e kam emrin dhe mbiemrin, por për shkaqe të privatësisë s’do t’i them sot”, ka shtuar ai.
Autori i sulmit, një 21-vjeçar nga zona e Grazit, ka kryer vetëvrasje pas masakrës. Po ashtu, 12 persona të tjerë janë plagosur, dhe hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes vijojnë.
Kancelari austriak, Christian Stocker, ka shpallur një periudhë zie kombëtare prej tre ditësh, duke nderuar viktimat me një minutë heshtje që do të mbahet nesër në orën 10:00.