Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon më 20 qershor me fjalët përmbyllëse të të akuzuarve dhe mbrojtjes së Palevskit

Gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit vazhdon më 20 qershor me fjalët përmbyllëse të të akuzuarve dhe mbrojtjes së Lupço Palevskit, pasi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup avokatët e Velibor Manevit, Bore Videvskit, Vllatko Keshishevit dhe Aleksandar Gjorçevskit kërkuan lirimin nga akuzat. Prokuroria Themelore Publike më parë kërkoi dënim maksimal me burg të përjetshëm për Palevskin, Keshishevin, Videvskin dhe Manevin, ndërsa për babanë e Vanjës kërkoi që gjykata të vendosë dënim të përshtatshëm me burg.
Në fjalën e tij përfundimtare, avokati mbrojtës i Aleksandar Gjorçevskit, avokati Vlladimir Tufegxhiq, vlerësoi se akuza kundër Gjorçevskit është e pabazë, e paargumentuar, paushale dhe e bazuar në supozime që nuk mbështeten nga provat e prokurorisë. Ai theksoi se mbrojtja vërtetoi se pikërisht i pandehuri Aleksandar, si babai i Vanjës është viktimë dhe palë e dëmtuar në këtë procedurë së bashku me nënën Zorica dhe familjen e tij dhe vërtetoi se gjatë periudhës kritike ai veproi në mënyrë që çdo prind do të vepronte në një situatë ku fëmija i tyre i zhdukur kërkohet.
Avokati Goran Boshevski, mbrojtës i të akuzuarit Velibor Manev, në fjalën e tij përmbyllëse për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit kërkoi aktvendim lirues për klientin e tij lidhur me veprën penale vrasje, ndërkaq aktvendim dënues për veprën rrëmbim. Sipas avokatit, nuk ka ekzistuar marrëveshje për vrasje dhe së këndejmi nuk ka kuptim për kryerje të llojit të tillë të veprave penale.
Lirim nga akuzat sot kërkoi edhe avokati Bojan Manev, avokat mbrojtës i të pandehurit Bore Videvski duke theksuar se prokuroria nuk e kishte vërtetuar fajësinë e klientit të tij. Sipas tij kahja në të cilin është zhvilluar hetimi për këto ngjarje penale-juridike është krejtësisht e gabuar dhe të gjitha rrëfimet janë të imponuara.
Avokati mbrojtës i Vllatko Keshishevit, avokati Igor Efremov, kërkoi gjithashtu lirimin nga akuzat për klientin e tij, duke argumentuar se ai jo vetëm që nuk mori pjesë, por as nuk e dinte dhe as nuk kishte për qëllim që kjo të ndodhte. Përgjegjësi siç theksoi ai, mund të bartë vetëm për rrëmbimin e Vanjës.
Gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare të avokatit Vladimir Tufegxhiq, mbrojtës i Aleksandar Gjorçevskit, pas së cilës mbetet vetëm fjala e mbrojtjes së Lupço Palevskit.
Në seancën e kaluar, Prokuroria Themelore Publike në fjalën përfundimtare kërkoi dënim maksimal me burgim të përjetshëm për katër të akuzuarit Lupço Palevski, Vllatko Keshishev, Bore Videvski dhe Velibor Manev, ndërsa për babanë e Vanjës, të pandehurin Aleksandar Gjorçevski, kërkoi që gjykata të caktojë dënimin përkatës me burg.
Në aktakuzë qëndron se Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku planifikuan rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski në Veles, sipas aktakuzës ishte me qëllim që ta detyronin atë t’ua jepte automjetin e tij “Citroen” në mënyrë që ta përdornin atë për të rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Të akuzuarit në fillim të gjykimit deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, ndërsa i akuzuari i parë Palevski gjatë gjithë procesit pohoi se ky është një proces i montuar politikisht.
Minorenja Vanja dhe Pançe, banor i Velesit u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur pranë Shkupit dhe Velesit.