Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. UEFA ka shpallur tashmë emrat e zyrtarëve të ndeshjes, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe pritet me interes të madh.
Takimi do të drejtohet nga gjyqtari italian Davide Massa, i cili ka një precedent me Shqipërinë: ai gjykoi një miqësore kundër Gjeorgjisë më 16 nëntor 2015, e zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” dhe e përfunduar 2–2.
Asistentët e tij në këtë përballje të rëndësishme do të jenë Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca.
Në dhomën e VAR-it, teknologjia që gjithmonë ka rol vendimtar në ndeshje të tilla, do të jenë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.
Për Shqipërinë, kjo do të jetë ndeshja e tretë në këtë fushatë kualifikuese, pas humbjes ndaj Anglisë dhe fitores ndaj Andorrës. Ndërkohë, për Serbinë do të jetë debutimi në këtë grup.
Kuqezinjtë, të udhëhequr nga Sylvinho, do të kërkojnë të ruajnë ritmin pozitiv.