Javën e kaluar, Google publikoi në heshtje një aplikacion të ri, të quajtur Google AI Edge Gallery, që u mundëson përdoruesve të përdorin një gamë modelesh të inteligjencës artificiale (IA) në telefonat e tyre, pa pasur nevojë për lidhje interneti.
Ky aplikacion ofron akses në modele të ndryshme AI të disponueshme publikisht përmes platformës Hugging Face, dhe së shpejti pritet të vijë edhe në versionin për iOS. Përdoruesit mund të kërkojnë, shkarkojnë dhe ekzekutojnë modele që gjenerojnë imazhe, përgjigjen pyetjeve, shkruajnë apo modifikojnë kod dhe shumë funksione të tjera.
Modelët funksionojnë krejtësisht offline, duke përdorur fuqinë përpunuese të telefonit, çka i bën të dobishëm për ata që nuk dëshirojnë të dërgojnë të dhëna personale në servera të largët ose që duan të punojnë pa internet.
Google e përshkruan aplikacionin si një “eksperiment alfa” dhe e ka bërë të disponueshëm për shkarkim në GitHub, së bashku me udhëzime për përdorim. Ekrani kryesor i aplikacionit paraqet shkurtore për funksione të ndryshme AI, si “Image Prompt” dhe “AI Chat”, ku përdoruesit mund të zgjedhin nga një listë modele të përshtatura për secilën detyrë, përfshirë edhe modelin e Google Gemma 3n.
Një veçori shtesë është “Prompt Lab”, që lejon përdoruesit të ekzekutojnë detyra specifike si përmbledhje apo transkriptim të teksteve, me shabllone dhe cilësime të ndryshme për përshtatje të sjelljes së modeleve.
Përformanca e aplikacionit varet nga fuqia e harduerit të pajisjes dhe madhësia e modelit; modelet më të mëdha kërkojnë më shumë kohë për të kryer detyra.
Google AI Edge Gallery është i licencuar nën licencën Apache 2.0, që lejon përdorimin e tij edhe për qëllime komerciale pa kufizime të mëdha.