Milani po ndjek nga afër Granit Xhakën, mesfushorin e Bayer Leverkusen dhe kapitenin e përfaqësueses së Zvicrës, me objektivin për të forcuar repartin qendror të ekipit për sezonin e ri.

Lajmin e ka konfirmuar edhe babai i lojtarit, Ragip Xhaka.

“Milani e do Xhakën. Nuk do të flas për kushtet e marrëveshjes, klubet duhet të gjejnë një marrëveshje mes tyre. Tare? E vlerësoj shumë”, tha Xhaka senior për TëVë1, duke e lënë të hapur mundësinë e transferimit por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi negociatat.

Sipas burimeve pranë klubit kuqezi, është pikërisht drejtori Igli Tare ai që do të udhëheqë ofensivën për ta sjellë Xhakën në Milano. Një vizitë në Gjermani është planifikuar për ditët në vijim, ku Tare do të zhvillojë kontakte direkte me drejtuesit e Leverkusen.

Aktualisht, Bayer Leverkusen nuk ka pranuar asnjë ofertë zyrtare dhe e konsideron Xhakën si një element kyç për projektin e ri teknik nën drejtimin e Erik ten Hag, pas largimit të Xabi Alonsos. Megjithëse 33 vjeç, lojtari mbetet një shtyllë e mesfushës për kampionët në fuqi të Bundesligës.

Nga ana tjetër, Milani është gati të nisë bisedimet me një ofertë bazë rreth 10 milionë euro.

Granit Xhaka pëlqehet veçanërisht nga trajneri Massimiliano Allegri për eksperiencën, disiplinën taktike dhe karakterin e fortë në fushë — cilësi që i munguan Milanit në sezonin e kaluar.

Me rikonstruktimin e mesfushës si prioritet, transferimi i Xhakës mund të jetë një nga goditjet kryesore të merkatos së verës për klubin kuqezi.