Një grua rreth të 40-ave ka humbur jetën tragjikisht pasi është mbytur
në Liqenin e Dibrës, në afërsi të plazhit të qytetit.

Sipas informacioneve të para, trupin e pajetë të gruas e kanë vërejtur dy
persona, të cilët menjëherë e kanë nxjerrë nga uji dhe kanë tentuar ta
reanimonin, por fatkeqësisht pa sukses.

Në vendngjarje ka mbërritur ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Spitali i
Përgjithshëm Dibër, por mjekët vetëm kanë mundur të konstatojnë vdekjen e
saj. Nga SPB Dibër bëjnë të ditur se në trup nuk janë vërejtur shenja dhune.

Në vendngjarje kanë dalë ekipet policore dhe prokurori kujdestar. Trupi i
viktimës është dërguar për autopsi me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Ky është rasti i parë i mbytjes në Liqenin e Dibrës pas më shumë se një dekade.

Autoritetet lokale theksojnë se prej vitit 2017 në këtë zonë kanë funksionuar
ekipe shpëtimi, por këtë verë, për arsye ende të paqarta, shërbimi i shpëtimit
nuk është aktiv.