Tensione të nxehta mes PDSH-së së Menduh Thaçit dhe VMRO-së së Hristijan Mickoskit në horizont një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Sipas informacioneve të siguruara nga portali TS, Partia Demokratike Shqiptare, e udhëhequr nga Menduh Thaçi, është në bisedime serioze për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, por jo si pjesë e koalicionit me VLEN, por si partnere direkte e VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickoskit.

Burime të sigurta konfirmojnë se negociatat janë zhvilluar në nivelet më të larta politike dhe përfshijnë disa kërkesa konkrete nga ana e PDSH-së, përfshirë marrjen e një posti ministror dhe disa drejtori me rëndësi.

Nga vetë PDSH-ja e konfirmojnë për TS se lideri Menduh Thaçi është në bisedime të vazhdueshme me kryeministrin Mickoski. “Po, ka bisedime dhe ato do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim,” deklarojnë nga partia, duke shtuar se shumë shpejt pritet të ketë një epilog të qartë nëse PDSH do të jetë pjesë e qeverisë së re apo jo.

Kujtojmë se PDSH aktualisht ka një deputet në Kuvend, i cili u zgjodh nga listat e Frontit Europian, por më pas u deklarua si përfaqësues i pavarur i PDSH-së.