Simone Inzaghi ka vendosur të largohet nga posti i trajnerit të Interit dhe do të marrë drejtimin e klubit saudit Al-Hilal, në kohë për debutimin e tij në Kupën e Botës për Klube, ku ndeshja e parë do ta vë përballë Real Madridit, fitues i 15 herë i Ligës së Kampionëve.

Sipas “Football Italia”, vendimi i Inzaghit u mor pas një takimi me drejtuesit e lartë të Interit të martën. Ai pritet të nënshkruajë me Al-Hilal deri në verën e vitit 2027, me mundësi për zgjatje edhe për një vit tjetër.

Gazetari i njohur Fabrizio Romano raporton se paga vjetore e Inzaghit në Arabinë Saudite do të jetë rreth 26 milionë euro neto.

Trajneri italian do të jetë në stol që nga fillimi i Botërorit të Klubeve, që nis më 14 qershor. Al-Hilal do të përballet në ndeshjen e parë me Real Madridin më 18 qershor në “Hard Rock Stadium” të Miamit.

Më pas, skuadra saudite do të luajë kundër RB Salzburg më 22 qershor në “Audi Field” të Uashingtonit dhe më 27 qershor ndaj Pachuca në “Geodis Park” të Nashville, Tennessee.

Kjo është një aventurë e re për Inzaghin, i cili pas katër vitesh të suksesshëm në Milano, ku fitoi gjashtë trofe përfshirë edhe Scudetton historik të “Yllit të Dytë”, tashmë do të kërkojë të shkëlqejë në një skenë ndërkombëtare krejtësisht të re.