Simone Inzaghi ka falënderuar klubin e Interit për “katër vite të mrekullueshme” pas largimit të tij nga skuadra zikaltër për të marrë drejtimin e skuadrës saudite Al-Hilal në Pro League.

Duke folur nga Kupa e Botës për Klube, përmes TMË, Inzaghi komentoi rreth përvojës së tij të re, por nuk la pa përmendur edhe mirënjohjen për Interin dhe tifozët e tij, për periudhën që kaloi në Serie A.

I pyetur për aventurën në Arabinë Saudite, ish-trajneri i Lazios u shpreh:
“Jam ende në fillim! Kam qenë vetëm një javë në Arabinë Saudite dhe më pas kemi qëndruar në SHBA për dhjetë ditë. Po përshtatem mirë – kam gjetur një klub që më ka dashur me ngulm dhe po më mbështet në çdo aspekt, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.”

Al-Hilal po merr pjesë në Kupën e Botës për Klube dhe Inzaghi e nisi debutimin e tij me një barazim 1-1 ndaj Real Madridit, ndërsa të dielën në mbrëmje barazuan sërish, këtë herë ndaj RB Salzburg. Kjo e lë skuadrën e tij në pozitë delikate: në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, duhet të mposhtin Pachucën nga Meksika për të kaluar më tej.

" "

Sa i përket vendimit për të lënë Interin, Inzaghi deklaroi:
“Ishte momenti i duhur për një përvojë të tillë – jam shumë i kënaqur dhe i sigurt për këtë hap. Besoj se do të kem momente të mrekullueshme me këtë ekip.”

Largimi i tij nga Interi erdhi pas një disfate të rëndë në finalen e Ligës së Kampionëve, ku zikaltërit u mundën me rezultat 5-0 nga PSG-ja e Luis Enrique, duke i dhënë fund një periudhe katërvjeçare që nisi në vitin 2021, kur Inzaghi kaloi nga Lazio te Interi.

Për Interin ai shtoi:
“Nuk i kam ndjekur ndeshjet e tyre në Kupën e Botës për Klube, por mendoj se ndjenjat e mia për klubin janë të qarta për të gjithë. Kalova katër vite të mrekullueshme dhe ruaj kujtime të shkëlqyera për qytetin, tifozët dhe klubin.”

Gjatë kohës së tij te Interi, Inzaghi fitoi titullin kampion në sezonin 2023/24, por dështoi ta çonte klubin drejt lavdisë evropiane, pasi humbi dy finale të Ligës së Kampionëve – në sezonet 2022/23 dhe 2024/25.