Italia synon rolin e forcës shtytëse të integrimeve, Tajani: Ballkani duhet të hyjë në BE para vitit 2030

Përfaqësues të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, institucioneve evropiane, të vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate për anëtarësim, janë mbledhur në Taormina dhe Mesina të Italisë, në shtatëdhjetë vjetorin e Konferencës historike të Mesinës të vitit 1955 (takimeve i 6 vendeve anëtare të komunitetit të thëngjillit dhe çelikut që merret si pikënisje e procesit të integrimeve).
Në këtë mbledhje Italia, sipas agjencisë “Nova” ka ristartuar synimin e saj për t’u bërë motor integrimeve, duke përcjell kështu edhe mesazhe të qarta sa i përket zgjerimit të BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës dhe Moldavisë.
Ministri i Punëve të Jashtme italian, Antonio Tajani ka definuar mesazhin e Italisë si një “mesazh të fortë për të gjitha vendet kandidate për t’iu bashkuar Bashkimin Evropian”, duke përsëritur se “përshpejtimi i procesit të ribashkimit është një përparësi” për Italinë.
Tajani ka përmendur Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si përfituesit kryesorë.
“Për të festuar 70-vjetorin e Konferencës së Mesinës dhe Taorminës, ne kemi ftuar gjithashtu Moldavinë dhe Ukrainën pikërisht për t’u dhënë një sinjal vëmendjeje të madhe këtyre vendeve”.
Në udhërrëfyes shpresa është konkrete: Ballkani Perëndimor duhet të hyjë “para vitit 2030”. “Presidenti i paraprak i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030. Do të doja ta coja përpara vitin 2030 për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe pastaj do të flasim për Moldavinë dhe Ukrainën, të cilat janë dy vende të tjera kandidate dhe është e drejtë që ato të jenë pjesë e Unionit tonë”, ka thënë Tajani.
Ai ka kujtuar se “ka vende si Shqipëria dhe Mali i Zi që kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara”.
Ministri italian i Punëve të Jashtme ka shtuar se duke dëgjuar sot fjalët e përfaqësuesve “të shumë prej këtyre vendeve”, qëllimi i tyre është “të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në një kohë të shkurtër”.
“Ata kanë bërë një zgjedhje politike, është e drejtë t’i mbështesim ata dhe të bëjmë gjithçka që, si Itali, është në fuqinë tonë për t’i ndihmuar”, ka shtuar ministri.
Takimi nuk kishte të bënte vetëm me BE-në, shkruan tutje “Nova”.
Konferenca ishte një mundësi për të adresuar krizën e Lindjes së Mesme, të rënduar nga një përshkallëzim midis Iranit dhe Izraelit që po shkakton shqetësim në rritje.
Tajani konfirmoi se ambasadorët “do të qëndrojnë atje për sa kohë që ka italianë për të ndihmuar”, duke iu referuar bisedave që ka pasur me krerët e misioneve në Teheran dhe Tel Aviv, përkatësisht. Paola Amadei e Luca Ferrari.
Italia po punon gjithashtu për fluturime charter,” të parat ndoshta do të nisen nga Egjipti, me qytetarë në bord” me qëllim që të ndihmojë bashkatdhetarët “të largohen nga territori i Izraelit”, ka shpjeguar Tajani.
Ai ka specifikuar se nuk bëhet fjalë për “evakuime, por për ndihmë dhe koordinim”.
Mesazhi që vjen nga diplomacia italiane është i një pranie të vazhdueshme dhe operacionale, veçanërisht në ato vende me bashkatdhetarë për të ndihmuar, në një kontekst kompleks gjeopolitik.
Ndërsa e konsideroi situatën si “shqetësuese në përgjithësi”, Tajani ka theksuar se “nuk ka rrezik të menjëhershëm për ushtarët tanë” të vendosur në zonë dhe ka sqaruar se për momentin nuk ka “lajme për baza ushtarake amerikane në Itali të përfshira” në përshkallëzimin që përfshin Iranin dhe Izraelin, edhe nëse “nuk e dimë se çfarë do të duan të bëjnë Shtetet e Bashkuara”.
Këto fjalë vijnë pas disa njoftimeve të transmetuesit iranian të opozitës me seli në Londër “Iran International”, sipas të cilit kryeministrja Giorgia Meloni diskutoi dje mundësinë që Shtetet e Bashkuara të përdorin baza ushtarake në Itali për të sulmuar Iranin, gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe komandantë të Forcave të Armatosura Italiane.
Konferenca e Mesinës së Taorminës, ofroi një përpjekje për të rinisur projektin evropian – me Italinë në ballë të thirrjeve për një Evropë më të gjerë, më të fortë dhe më kohezive – dhe në të njëjtën kohë veprim konkret diplomatik për menaxhimin e krizave ndërkombëtare, shkruan tutje Nova.
Tutje, kjo agjenci duke cituar pjesë të Deklaratë së Mesinës e Taorminës thotë se “procesi i reformës së brendshme të Bashkimit Evropian duhet të kryhet veçmas, por paralelisht me procesin e zgjerimit”.
BE-ja, vazhdon teksti, do të jetë kështu gati “të përfundojë në mënyrë efektive një zgjerim të bazuar në meritë, si një përparësi gjeopolitike dhe një investim strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet për të gjithë kontinentin”, në një frymë “solidariteti, besimi të ndërsjellë dhe bashkëpunimi të hapur dhe transparent”.