Izraeli dhe Irani në luftë totale? Intensifikohen sulmet nga të dyja vendet, Netanjahu: Hakmarrje për civilët e vrarë

Thirrjet e Donald Trump për t’i dhënë fund përmes një marrëveshje, konfliktit më të ri në lindjen e Mesme nuk u dëgjuan.
Izraeli dhe Irani intensifikuan sulmet në ditën e tretë të luftës mes tyre.
Izraeli tha të dielën se nisi një breshëri sulmesh ndëshkuese në të gjithë Iranin, duke goditur objektiva nga perëndimi në Teheran dhe deri në lindje të aeroportit të Mashhadit.
Gjendja e jashtëzakonshme është zgjatur në të gjithë vendin dhe do të vijojë deri më 30 qershor. Këto sulme sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë çmimi që Irani duhet të paguajë për vrasjen e civilëve izraelitë: Deri tani 14 viktima. Mes izraelitëve raportohet edhe për 300 të plagosur. Netanyahu i tha Fox News se Izraeli kishte vrarë shefin e inteligjencës së Iranit, Mohammad Kazemi dhe zëvendësin e tij në Teheran. Ushtria izraelite pretendon gjithashtu se ka sulmuar selinë bërthamore të Iranit dhe bazat raketore.
Hapa pas nuk bën as Irani. Autoritetet atje thonë se do të hapin xhamitë, stacionet e metrove dhe shkollat si strehimore të improvizuara kundër bombave izraelite. Irani ka njoftuar se po hedh raketa mbi Tel Aviv, Haifa dhe qytete të tjera, disa prej të cilave raportohet se nuk janë kapur nga sistemi mbrojtës izraelit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende këtë fakt. Sulmet ajrore iraniane goditën Jerusalemin dhe Lartësitë e Golanit, sirenat u dëgjuan sërish në Tel Aviv dhe në veri të vendit. Teherani ka njoftuar po ashtu se ka arrestuar dy anëtarë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad ndërsa po përgatisnin bomba
Dekadat e një armiqësie në hije mes dy vendeve armike të përbetuara, kulmuan në shkëmbim zjarri 3 ditë më parë dhe intensiteti është i tillë thotë AFP sa ngjall frikën e nisjes së një lufte të gjatë që mund të përfshijë të gjithë Lindjen e Mesme.