Studiuesit nga agjencia për siguri kibernetike “Cybernews” thonë se miliarda fjalëkalime janë rrjedhur dhe janë mbledhur në koleksione të dhënash online, duke u dhënë kriminelëve “qasje të paprecedentë” në llogaritë që konsumatorët i përdorin çdo ditë. Sipas një raporti të publikuar këtë javë, studiuesit e “Cybernews” kanë zbuluar së fundmi 30 koleksione të ekspozuara të të dhënave, secila me një sasi të madhe informacionesh për hyrje – duke arritur në totalin prej 16 miliardë të dhënash të komprometuara. Këto përfshijnë fjalëkalimet e përdoruesve për platforma të njohura si Google, Facebook dhe Apple.

Nëse jeni të shqetësuar se të dhënat tuaja mund të jenë ekspozuar gjatë një sulmi të fundit, gjëja e parë që mund të bëni është të ndryshoni fjalëkalimin tuaj – dhe të shmangni përdorimin e të njëjtëve ose fjalëkalimeve të ngjashme në faqe të ndryshme. Nëse është shumë e vështirë të mbani mend të gjitha fjalëkalimet, merrni në konsideratë përdorimin e një menaxheri fjalëkalimesh. Gjithashtu, shtoni autentifikimin me shumë faktorë, i cili shërben si një shtresë e dytë verifikimi përmes telefonit, emailit apo një çelësi USB.

Gjithsej 16 miliardë fjalëkalime është një numër që është gati dy herë më i madh se numri i njerëzve në Tokë sot, që nënkupton se përdoruesit e prekur mund të kenë pasur të dhëna të rrjedhura nga më shumë se një llogari. “Cybernews” thekson se me shumë gjasa ka dublikatë në këto të dhëna dhe për këtë arsye “është e pamundur të thuhet se sa njerëz ose llogari janë ekspozuar në të vërtetë.”

Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se informacionet e rrjedhura për hyrje nuk vijnë nga një burim i vetëm, si një shkelje e vetme ndaj një kompanie. Në vend të kësaj, duket se të dhënat janë vjedhur nëpërmjet ngjarjeve të shumta me kalimin e kohës, më pas janë mbledhur dhe ekspozuar përkohësisht në mënyrë publike, çka u zbulua nga studiuesit e “Cybernews”.

" "

Vjedhës të ndryshëm informacioni janë me gjasë përgjegjësit, thekson “Cybernews”. Këta vjedhës informacioni janë një formë e programeve të dëmshme që infektojnë pajisjen ose sistemet e viktimës për të marrë informacione të ndjeshme. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje në lidhje me këto kredenciale të rrjedhura, përfshirë se në duart e kujt ndodhen aktualisht. Por ndërsa sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e mbajtjes së një “higjiene kibernetike” të mirë.