Rusia paralajmëroi të mërkurën se bota ndodhet “vetëm disa milimetra larg një katastrofe”, si pasojë e përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit.
Ajo bëri thirrje për veprime urgjente diplomatike për të parandaluar një krizë më të madhe rajonale.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, deklaroi se këto sulme po godasin objekte bërthamore civile dhe jo ushtarake.
Ajo e cilësoi këtë situatë si një “lojë monstruoze”, gjatë një deklarate të bërë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, duke u cituar nga agjencia shtetërore ruse Ria Novosti.
“Sulmet janë të drejtuara ndaj infrastrukturës bërthamore dhe infrastrukturës civile paqësore dhe jo ndaj objekteve ushtarake. Kjo është thellësisht e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të mëdha”, u shpreh Zakharova.
“Shumë thonë se pasojat do të jenë të paparashikueshme, por në të vërtetë janë krejtësisht të parashikueshme. Kjo është frika më e madhe.”
Megjithë rrezikun në rritje, ajo theksoi se ende ka hapësirë për zgjidhje diplomatike. “Gjithmonë ekziston mundësia për të zgjedhur rrugën paqësore dhe për të përdorur diplomacinë”, shtoi Zakharova, raporton Anadoly.
Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut zhvillohet nga 18 deri më 21 qershor. Rusia është përpjekur të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes Iranit dhe Izraelit, duke bërë thirrje të përsëritura për përmbajtje dhe shmangie të një konflikti më të gjerë në rajon.