Kandidati presidencial kolumbian, Miguel Uribe Turbay, është qëlluar tre herë, dy herë në kokë, gjatë një aktiviteti zgjedhor në kryeqytetin Bogota. Sulmi ndodhi ndërsa ai po fliste në një park përpara një grupi të vogël mbështetësish.

Një i dyshuar 15-vjeçar u arrestua në vendngjarje. Uribe, 39 vjeç, u transportua me helikopter në klinikën Sante Fe dhe ndodhet në gjendje kritike. Bashkëshortja e tij u bëri thirrje qytetarëve të luten për jetën e tij.

Partia e tij, Centro Democrático, e dënoi sulmin si një kërcënim serioz ndaj demokracisë, ndërsa qeveria e presidentit Gustavo Petro dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, shprehën dënimin e tyre të fortë.

Uribe vjen nga një familje e njohur politike. Nëna e tij, gazetarja Diana Turbay, u vra më 1991 gjatë një përpjekjeje për ta shpëtuar nga rrëmbimi nga karteli i Medellín. Uribe shpalli kandidaturën e tij presidenciale për zgjedhjet e 2026-ës në tetor.