Mediat boshnjake “gumëzhijnë” për një lajm që ka prishur humorin e qytetarëve, janë rritur çmimet e qebapëve! Në një vend ku qebapi është thuajse si monedhë kombëtare, kjo rritje ka rënë si rrufe në qiell të kthjellët.

Nëse ndodheni në Sarajevë apo planifikoni të bëni një shëtitje nëpër Bash Çarshi, dhe dëshironi të shijoni një porcion nga këto copëza mishi të shijshme, të yndyrshme dhe aromatike, përgatituni të hapni pak më thellë kuletën.

Nga çmimi i mëparshëm prej 12 KM (rreth 6.13 euro), “dhjetëshja” e qebapëve tani kushton 14 KM (rreth 7.16 euro)! Për ata që kënaqen me më pak – çmimi i “pesëshes” është ngritur në 7 KM (rreth 3.58 euro), shkruan Dnevni Avaz.

Këto janë çmimet e reja në qebaporet më të njohura në pjesën e vjetër të Sarajevës, përcjell TV21. Dhe nëse jeni nga ata që nuk mund ta imagjinojnë qebapin pa kajmak dhe kos, më mirë kontrolloni gjendjen e llogarisë bankare, sepse me këto shtesa, një drekë me qebapë po afrohet ngadalë te kategoria e “eksperiencave luksoze” në gastronomi.