Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e cilësuar atë si një moment historik që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe hapi rrugën drejt krijimit të shtetit shqiptar.
“Më 10 qershor 1878, shqiptarët nga të gjitha trevat u bashkuan për herë të parë në shekuj rreth një qëllimi të madh: mbrojtjen e tokave shqiptare dhe ndërtimin e një shteti të përbashkët”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Ai ka theksuar se Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një akt historik, por një pikë kthese në organizimin politik dhe ushtarak të shqiptarëve, duke e krahasuar me epokën e Skënderbeut.
“Nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sulejman Vokshit, shqiptarët morën rol aktiv, politik dhe ushtarak, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ata dhanë modelin e bashkimit, lidershipit dhe sakrificës – një trashëgimi që frymëzoi breza të tërë deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe më vonë e Kosovës. Nderim të përjetshëm!”, ka shkruar Krasniqi.