Kroati gjendet i gjallë pas 30 viteve: E kishte falsifikuar qëllimisht vdekjen e tij dhe kishte nisur një jetë të re në Francë

Shtetasi kroat Boris C. nga Viersen (North Rhine-Westphalia), i cili ishte zhdukur që nga viti 1994, është gjetur i gjallë pothuajse tre dekada më vonë në Francë, ku jeton nën një identitet të ri me një familje të re, shkruan Jutarnji.hr. Rasti, i cili për vite me radhë u trajtua si një viktimë e mundshme e një vrasjeje, mori një kthesë të papritur dhe dramatike.
Në kohën e zhdukjes, Boris ishte 37 vjeç. Automjeti i tij ishte gjetur në Dyseldorf me gjurmë gjaku, të cilat më vonë u konfirmuan se ishin të tijat. Policia gjermane menjëherë dyshoi se ai ishte vrarë, dhe pavarësisht një hetimi të gjatë, ai nuk u gjet. Në vitin 1997, familja e tij e shpalli zyrtarisht të vdekur.
Kthesa ndodhi pas më shumë se 30 vitesh, kur autoritetet zbuluan se Boris në fakt jetonte në Francë. Sipas informacioneve nga Prokuroria Shtetërore, ai e kishte planifikuar paraprakisht zhdukjen e tij. Ai ka pranuar se kishte borxhe të mëdha dhe frikësohej nga pasojat e mundshme për veten dhe familjen e tij, ndaj vendosi të zhdukej dhe të fillonte një jetë të re.
Prova kyçe në rast – gjurmët e gjakut në makinë – rezultuan të ishin pjesë e planit të tij. Autoritetet tani besojnë se Boris qëllimisht ishte vetëdëmtuar për të krijuar përshtypjen bindëse se bëhej fjalë për një krim të dhunshëm. Këto gjurmë të rreme i drejtuan hetuesit në një rrugë të gabuar për dekada me radhë.
Rasti u rihap falë emisionit gjerman televiziv Aktenzeichen XY, i cili shpesh ndihmon në zgjidhjen e rasteve të vjetra të zhdukjes dhe veprave penale. Por rrallë ndodh që një “njeri i vdekur” – veçanërisht nga Kroacia – të shfaqet sërish në publik i gjallë dhe shëndoshë e mirë.