“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e saj të sotme, miratoi Projektligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Ky projektligj shënon një moment historik, pasi për herë të parë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, si kategori kushtetuese që nga viti 2001, merr zgjidhje të qartë dhe të plotë ligjore.
Edhe pse është dashur të rregullohet me ligj që nga viti 2003, kjo çështje është lënë peng i vullnetit politik për më shumë se dy dekada.
Projektligji garanton:
Qasje të barabartë në punësim dhe avancim në administratën publike;
Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive në institucionet publike, por edhe duke siguruar që punësimi dhe avancimi të bëhen në bazë të meritës dhe kualifikimeve të secilit individ.;
Krijimin e mekanizmave institucionalë dhe proceduralë për të shmangur diskriminimin dhe për të forcuar gjithëpërfshirjen.
Ky hap i vonuar, por i domosdoshëm, e largon përfundimisht përfaqësimin nga ndikimi i politikës ditore dhe e bën atë të drejtë ligjore, për secilin qytetar, pa dallim etnie.
Miratimi i këtij projektligji është dëshmi se kur ekziston vullnet politik i sinqertë, rezultatet nuk mungojnë.
Me këtë vendim, qeveria jep një sinjal të qartë për ndërtimin e një administrate publike më funksionale, më të drejtë dhe vërtetë përfaqësuese” tha Mexhiti