“Kur s’voton për ta, kthehesh në shënjestër”, Deliu-Kodra i reagon deputetes së VV-së për deklaratën ndaj Baljes

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar deputetes së VV-së, Arbreshë Kryeziu-Hyseni për një deklaratë të kësaj të fundit ndaj Duda Baljes, shkruan Reporteri.net.
Deliu-Kodra thotë se të njëjtit që po pretendojnë se po luftojnë gjuhën seksiste, po e bëjnë një gjë të tillë me Baljen, dhe se sipas saj po votove sipas interesit të VV-së je partnere e respektuar, në të kundërt bëhesh objekt sulmi.
Postimi i plotë:
Kur voton sipas interesit të tyre, bëhesh “partnere e respektuar”. Kur shpreh qëndrim ndryshe, bëhesh “objekt sulmi”.
Ky nuk është qëndrim parimor, është standard i dyfishtë. Gratë në politikë meritojnë të gjykohen për qëndrimet e tyre, jo për përkatësinë gjinore apo etnike.
Deputetja e VV-së, mbrëmë e pyetur për pozitën e profesoreshës në Shkup, që thuhet se i është ofruar Baljes në këmbim të votës për Albulena Haxhiun, ka thënë se është kureshtare të dijë se çfarë lënde do mund të ligjëronte deputetja nga komuniteti boshnjak.
”Jam shumë kurioze me ditë çfarë lënde kish mujt me dhënë Duda Balje, jam kurioze me ditë kënd kish mujt me mësu Duda?”, është shprehur ajo në Kanal10.