Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi i tij është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, derisa tha se deputetët që dikur ishin në opozitë, po e pengojnë këtë gjë “në mënyrë brutale”.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit së pishinës gjysmëolimpike në Podujevë, Kurti është shprehur se deputetët e partive të tjera është mirë të pyetën pse po shkojnë në Kuvend pasi s’po votojnë. Ai i cilësoi deputetët si “nomadë”.
“Synimi ynë është që të kemi Kuvend. Fatkeqësisht deputetët opozitarë po e pengojnë votimin e këtij komisioni në mënyrë të brutale. Kjo është shkelje…Pra, ne po shkojmë të votojmë, e ata që s’po votojnë është mirë t’i pyesni pse po shkoni. Unë s’kam munguar asnjëherë si kryeministër në detyrë, e as si deputet. Duhet t’i pyesni ata kur po vijnë, pse po vijnë. Unë s’e di pse po vijnë”, ka deklaruar Kurti para se të mbahej seanca të enjten.
Ai ka thënë se deputetët s’po duan “të kenë shtëpinë e tyre”, duke folur për Kuvendin, teksa shtoi se ende s’i ka ardhur radha Qeverisë Kurti 3.
“Kosova ka qeveri në detyrë, ka kryeministër në detyrë. Ajo që po i mungon Kosovës është Kuvendi. Dhe Kuvendi është shtëpia e deputetëve. Ka disa deputetë që s’po duan të kenë shtëpi, s’po duan që Kosova të ketë Kuvend sepse ende s’i ka ardhur radha Qeverisë Kurti 3. Ata janë në fazën që s’duan që Kosova të ketë Kuvend. S’ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti sikur atyre opozitarë. Deputetëve opozitarë dhe të pakicës u duhet Kuvendi, si mënyrë dhe mjet i vlefshëm, më shumë se mazhorancës. Deputetët e mazhorancës po e duan Kuvendin, e deputetët opozitarë që s’kanë Qeveri s’po e duan Kuvendin. Deputetët opozitarë që s’duan që Kosova të ketë Kuvend, i quaj deputetë nomadë…”, ka thënë Kurti.
Sipas terminologjisë zyrtare, popujt nomadë janë grupe njerëzish që s’kanë vendbanim të përhershëm dhe që jetojnë duke udhëtuar vazhdimisht.
Ai shtoi se “sa më herët që ta kuptojnë se kundërshtimi ndaj meje, do të mund ta thonë kur vjen puna të formimi i Qeverisë, aq më mirë do të jetë edhe për ata, edhe për mua”.
Kurti potencoi se Qeveria në detyrë i ka kompetencat e kufizuara, por “s’ka më pak punë”.
“Ndërmjet Kurtit 2 e 3 e kemi një Qeveri në detyrë, le ta quajmë Kurti 2.5”, ka shtuar ai.