Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka reaguar ashpër pas sulmeve ajrore izraelite ndaj territorit iranian, duke i quajtur ato një “krim të kryer në agim” dhe duke paralajmëruar se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA dhe cituar nga CNN, Khamenei konfirmoi se disa komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë gjatë sulmeve që Izraeli pretendon se kishin për synim objektiva bërthamore.
“Regjimi izraelit ka kryer një krim në agim. Ky regjim duhet të presë një ndëshkim të ashpër,” tha Khamenei, duke shtuar se viktimat do të zëvendësohen menjëherë dhe misioni i tyre do të vazhdojë pa ndërprerje.
Ai akuzoi Izraelin për përshkallëzimin e situatës dhe paralajmëroi se ky veprim ka hapur rrugën për pasoja të rënda.
“Me këtë sulm, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm – dhe me siguri do ta marrë atë,” u shpreh lideri suprem.